Historianët: Adem Jashari dhe familja e tij u bënë themele të lirisë dhe të pavarësisë

05 mars 07:55

Me rastin e 20-vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, nën përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës, për tri ditë me radhë, më 5, 6 dhe 7 mars, shënohet manifestimi gjithëpopullor “Epopeja e UÇK-së”.

Për rëndësinë e “Epopesë së UÇK-së” ka folur historiani, njëherësh ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi. Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se këtë vit populli shqiptar ka tri jubile të mëdha, secili me përmasat, lavditë dhe madhështitë e tij.

Krasniqi ka vlerësuar se Skënderbeu e Adem legjendari janë dhe mbesin njerëzit me integritetet më të larta njerëzore. Sipas tij, ata janë personalitetet më të mëdha të kombit shqiptar.

“Nuk kanë ngjashmëri me njëri-tjetrin, se më shumë se pesë shekuj i kanë në mes. E përbashkëta e madhe e këtyre jubileve e sidomos, jubiletë e dy personaliteteve të kombit tonë janë, se që të dy, Skënderbeu e Adem legjendari, për kohët e tyre janë e mbesin njerëzit me integritetet më të larta njerëzore. Shkalla e rrezikshmërisë e njërit dhe e tjetrit kanë qenë tepër të larta, edhe pse në rrethana të ndryshme. Por, vetëm në rrethana të tilla, të vështira, njerëzit e mëdhenj tregojnë integritet. Madje, siç po duket, as në kohë lirie e paqeje nuk po është lehtë që njeriu të jetë me integritet e dinjitet. Që të dytë janë shqiptarë, ndonëse i pari quhej edhe epirotas, maqedonas e arbëror. I pari ishte mbret e kapedan që e mbrojti vendin nga mbretërit më të mëdhenj të Perandorisë Osmane por, pas vdekjes së tij, Shqipëria qe pushtuar për shekuj. I dyti që vetëm kapedan i një ushtrie të vogël, e cila, pas rënies së komandantit legjendar, u masivizua e u mobilizua në ato përmasa, sa ushtarët e tij arritën ta çlirojnë atdheun me ndihmën e NATO-s dhe kombit iu kthyen 10 878 km katrorë që i ishin pushtuar padrejtësisht në vitin 1913 edhe me vulën e fuqive të mëdha të kohës. Shikuar në këtë kënd e në përmasën e fitores, që të dy janë e mbesin personalitetet më të mëdha të kombit”, është shprehur Krasniqi, duke shtuar se emëruesi i përbashkët i Skënderbeut dhe Adem Jasharit është shqiptarizmi i pamohueshëm me profecitë njerëzore.

Ndërsa historiani tjetër Bujar Dugolli ka thënë të dielën për gazetën “Epoka e re” se 20-vjetori i “Epopesë së UÇK-së” duhet të kujtohet e të shënohet në aspektin më të mirë të mundshëm në mënyrë që të nderohen të rënët, njëkohësisht të çmohet roli dhe veprimtaria e tyre për ditët që i gëzojmë.

Ai ka theksuar se sakrifica e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij u bënë themel i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Faktikisht, sa vite që shkojnë, vlera dhe rëndësia e ‘Epopesë së UÇK-së’ rritet, për faktin se mbi bazën e asaj lufte të madhërishme të UÇK-së sot vendi është i lirë dhe është i pavarur. Kujtimet dhe përvjetorët e këtyre ngjarjeve historike kanë mesazhe që gjeneratat e reja, por edhe të gjithë të tjerët, ta kuptojnë rolin që pati Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe familja Jashari në veçanti, e cila me sakrificën e vet u bë themel i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Pra, ajo çfarë bëri familja Jashari për lirinë dhe pavarësinë e popullit të vet është një rast i rrallë në historinë e njerëzimit”, ka thënë Dugolli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas vendimit të partisë komuniste kineze për të hequr kufizimin…