Historiku i Panaireve të Librit Shqip në Amerikë

20 tetor 2025 | 11:58

Adnan Mehmeti

Tetori është muaji i librit dhe i leximit dhe si i tillë bashkon shpirtin krijues të autorëve me lexuesin e çdo moshe. Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë ka tashmë 24-vjet që artikulon dhe realizon një mision të qartë në veprimtaritë e pandërprera në shërbim të kulturës dhe letërsisë shqipe. Gjatë këtyre viteve, mbi 200-anëtarë kanë kontribuar me vepra, botime dhe pjesëmarrje aktive në jetën kulturore të komunitetit shqiptar, duke e kthyer Shoqatën në një vatër bashkimi, ku krijuesit ndajnë përvojat, frymëzimin dhe dashurinë ndaj fjalës.Çdo arritje e jona shpejton rrjedhën e vendimeve dhe veprimeve që ndërmerr kjo iniciativë, jo vetëm për zgjerimin e radhëve me talente të reja, por mbi të gjitha mbështetjen dhe inkurajimin e krijuesve të rinj drejt krijimit të urave kulturore të bashkëpunimit për të forcuar lidhjen mes krijuesve shqiptarë në Amerikë dhe trojeve të tyre.

Panairet e librit shqip: Një tribunë për krijuesit shqiptaro-amerikanë

Këto panaire janë krijuar posaçërisht për shkrimtarët, poetët, përkthyesit dhe krijuesit shqiptarë në SHBA. Ato ofrojnë mundësinë që autorët të mbajnë gjallë gjuhën shqipe, të shprehin historitë e tyre dhe të ruajnë trashëgiminë kulturore përmes shkrimit e botimit. Çdo libër i ekspozuar pasqyron historinë e emigrimit, kujtimet nga vendlindja dhe përpjekjen për të ruajtur identitetin shqiptar jashtë trojeve të atdheut.

Që prej panairit të parë, qëllimi ka qenë i qartë: të krijohet një hapësirë e përbashkët për autorët shqiptarë në Amerikë, duke u dhënë vlerësimin që meritojnë. Panairi është një pikëtakim që lidh krijuesin me lexuesin, bashkëatdhetarët me artin dhe fjalën me komunitetin, duke dëshmuar se kultura shqiptare jeton përtej kufijve dhe fjala jonë nuk shuhet, por mbetet gjallë. Ai shërben si frymëzim për autorët e rinj dhe lexuesit, si nxitje për ata që ende nuk e kanë botuar librin e parë e si dëshmi se kultura është forca që na bashkon, kudo që jemi.

Kronologjia e Panaireve të Librit Shqip

Panairi i Librit Shqip, New York, 2009 – (Edicioni i Parë)

Ky edicion shënoi realizimin e ëndrrës së zjarrtë mbi fillimin e një tradite të re kulturore për shqiptarët që krijojnë dhe mbajnë gjallë artin e fjalës shqip në diasporë. Panairi i Parë i Librit u organizua më 4 qershor 2009, në Monroe College në Bronx, me ndihmën e Ted Goldstein, Dekan i programit Bachelor dhe bashkëpunimit të Prof. Haxhi Berisha. Aktiviteti u pagëzua si “Festivali i Librit Shqip në Amerikë” nga Prof. Agron Fico dhe ishte i pari i këtij lloji jo vetëm në SHBA, por në mbarë diasporën shqiptare.

Panairi i librit mblodhi autorë të shumtë dhe ofroi një tribunë të veçantë për promovimin e krijimtarisë shqiptaro-amerikane, duke theksuar rëndësinë e letërsisë shqipe jashtë Atdheut. Presidenti i Shoqatës, Adnan Mehmeti, theksoi se kjo nismë synonte ndërtimin e një baze për një Bibliotekë Kombëtare Shqiptaro-Amerikane dhe fuqizimin e bashkëpunimit mes shkrimtarëve të diasporës.

Në mesin e Të Ftuarve të Nderit ishte edhe Dr. Albert Jerasi, Konsull i Republikës së Shqipërisë në Nju Jork, i cili e konsideroi panairin një ngjarje të veçantë e shpërblyese për përpjekjet e autorëve dhe organizatorëve: “Jam i nderuar që ndodhem këtu për të hapur Panairin e Parë të Librit në Nju Jork. Në çdo tavolinë mund të prekësh e të marrësh në dorë librat tuaj të mrekullueshëm, libra që i bëjnë jehonë fjalës së bukur shqipe dhe që dëshmojnë pasionin, talentin dhe mbajnë gjallë dashurinë për Shqiperinë. Kjo është meritë e të gjithëve ju që keni arritur të mblidhni kaq shumë autorë dhe libra, sa do t’i kishin zili edhe kolegët tuaj në vendlindje.”

Panairi u shndërrua në një festë të vërtetë arti, ku pjesëmarrësit kishin mundësinë të takonin krijues të tjerë, të shkëmbenin autografë, ndanin përvoja dhe të ekspozonin veprat e tyre. Piktura që krijoi poetja Iliriana Sulkuqi u bë simboli i këtij panairi, duke përdorur metaforën e një peme gjenealogjike që përfaqëson rrënjët, degët dhe frytet e krijuesve shqiptarë në SHBA, si shenjë e erudicionit dhe identitetit kombëtar të diasporës. Takimi u moderua nga poeti Mëhill Velaj, njëherësh bashkëideator i Panairit të Librit.

Ky edicion vendosi themelet e sigurta të një Kështjellë të kulturës dhe artit shqiptar që do të zgjerohej në vitet e ardhshme, duke e shndërruar Panairin e Librit të Nju Jork-ut në një Qendër Gravitacionale referimi për Letërsinë Shqipe jashtë vendlindjes.

Panairi i Librit Shqip, New York, 2010 – (Edicioni i Dytë)

Më 23 maj 2010, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë organizoi në Qendrën Kulturore CCM, Bronx, Edicionin e Dytë të Panairit “Dita e Librit Shqip”. Ky aktivitet ishte më shumë se një ekspozim librash, ishte një festë e fjalës shqipe në të cilën autorët shqiptaro-amerikanë u takuan, shkëmbyen libra, kujtime dhe ide, duke forcuar e zgjeruar lidhjet krijuese e shpirtërore mes tyre. Pjesëmarrësit kishin ardhur nga shtete të ndryshme të Amerikës: Illinois, Michigan, Missouri, Massachusetts, New Jersey, Pennsylvania dhe Connecticut; dëshmi e gjallë e përhapjes së gjerë të komunitetit letrar shqiptar në diasporë. Në këtë veprimtari morën pjesë edhe Konsullja e Shqipërisë në New York, znj. Admira Jorgji, shkrimtari i njohur Fatos Kongoli, si dhe personalitete të tjera të komunitetit shqiptar. Aktiviteti u moderua nga poetja Kozeta Zylo.

Ky edicion konsolidoi suksesin e dytë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në zhvillimin kulturor të Shoqatës së Shkrimtarëve. Ai u veçua për pjesëmarrjen e gjerë të autorëve, për krijimin e hapësirave të dialogut letrar dhe për prezantimin e veprave të reja, përfshirë edhe botime të përkthyera, që forcuan urën ndërkulturore mes Letërsisë Shqiptare dhe Letërsisë Amerikane.

Një nga momentet më të veçanta ishte pjesëmarrja e shkrimtares amerikane Cara Lefebvre, e cila foli në gjuhën shqipe, duke ndarë përvojën e saj me Shqipërinë: “Vetëm një javë më mjaftoi që të bija në dashuri me Shqipërinë”, – tha ajo, duke emocionuar të pranishmit.

Ekspozita e Librit Shqip, 2021 – (Fjala që ndriçon udhëtimin)

Në vitin 2021, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë organizoi një nga veprimtaritë më të bukura e më domethënëse në historinë e saj: Ekspozitën e Librit Shqip në Amerikë. Pas dy Edicioneve të Panairit (2009 dhe 2010), kjo ekspozitë shënoi një rikthim të fuqishëm të librit shqip në hapësirën publike amerikane, në një format modern dhe gjithëpërfshirës.

E organizuar në qendrën e qytetit të Stamford-it, në një mjedis artistik, ekspozita u kthye në një dritare të gjuhës dhe kulturës shqiptare për komunitetin shqiptar dhe publikun amerikan. Meqë ishte e hapur për tri javë rresht, ajo u vizitua nga nxënës, studentë, gazetarë, diplomatë dhe përfaqësues të institucioneve amerikane, duke u shndërruar në një nga Promovimet më të suksesshme të Letrave Shqipe në SHBA.

Në stendat e ekspozitës u shfaqën botime nga autorë shqiptaro-amerikanë, me poezi, prozë, romane, përkthime, kujtime dhe monografi, dëshmi e një trashëgimie shpirtërore që mban gjallë historinë, mallin dhe shpresën e një populli që ruan fjalën si pasuri të shpirtit. U promovua edhe libri i Prof. Sami Repishti, në anglisht: In the Shadow of Rozafa Castle.

Ekspozita u moderua me profesionalizëm nga Dr. Yllka Filipi dhe Arjeta Ferlushkaj duke ripohuar misionin e Shkrimtarëve për të ruajtur Identitetin dhe Gjuhën Shqipe, e për ta përhapur atë në një shoqëri që gjithnjë e më shumë vlerëson diversitetin dhe bashkëjetesën kulturore.

Panairi i Librit Shqip, 2024 – (Edicioni i Tretë)

Pas jehonës së ekspozitës së vitit 2021, Shoqata riktheu me madhështi Panairin e Librit Shqip, në Edicionin e tij të Tretë, gjatë muajit prill 2024. Ngjarja u zhvillua në Bibliotekën e Stamfordit, në një atmosferë festive që bashkoi autorë, lexues, artistë dhe dashamirës të kulturës e letërsisë nga mbarë Amerika.

Në stendat e mbushura me botime të reja, poezi, romane, përkthime ese dhe studime, vizitorët gjetën gjuhën e zemrës, atë që i mban të lidhur me rrënjët, me kujtesën dhe me origjinën. Ndër momentet më të spikatura ishte prania e shkrimtarit dhe disidentit të njohur Visar Zhiti, i cili, me zërin e tij të përvuajtur e të ndritshëm, i dha ngjarjes një dimension të veçantë shpirtëror. Fjalët e tij për lirinë, qëndresën dhe rolin e letërsisë në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor u dëgjuan me emocion, respekt dhe admirim të thellë. Shkrimtarët e pritën me nderim të veçantë poetin Visar Zhiti, duke e vlerësuar si simbol të fjalës që nuk shuhet, të atij ideali të rrallë që e bën librin dëshmi të pavdekshme. Panairi u moderua me profesionalizëm nga poeti Mëhill Velaj.

Ky edicion u bë dëshmi e gjallë e këtij udhëtimi, një kapitull që lidh të kaluarën me të ardhmen, librin me shpirtin dhe shqiptarët me njëri-tjetrin.

Panairi i Librit Shqip në Amerikë, 2025 – (Edicioni i Katërt)

Në Galerinë e Artit të qytetit të Stamfordit u zhvillua Edicioni i Katërt i Panairit të Librit Shqip në Amerikë, në kuadër të Tubimit Tradicional të Shkrimtarëve. Ky aktivitet, tashmë i kthyer në traditë, bashkoi autorë, poetë, përkthyes, piktorë, gazetarë dhe dashamirës të librit nga komuniteti shqiptar në SHBA, në një ditë të mbushur me art, kulturë dhe frymë bashkimi.

Moderatorja, Dr. Yllka Filipi, njëherësh Kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve, përshëndeti përzemërsisht të gjithë pjesëmarrësit në fjalën e hapjes së kësaj ceremonie, ndërsa Presidenti, z. Adnan Mehmeti, në fjalën e tij vuri në dukje rrugëtimin 24-vjeçar të Shoqatës, duke theksuar se qëllimi i kësaj nisme është të krijojmë një hapësirë të përbashkët për autorët shqiptarë, ku fjala dhe kultura bashkojnë brezat dhe diasporën me atdheun.

Gjatë këtij edicioni u prezantuan botime të reja nga anëtarë të Shoqatës dhe autorë të tjerë të diasporës, të cilët ndanë me publikun përvojat e tyre krijuese dhe lexuan fragmente nga veprat më të fundit, duke e kthyer takimin në një ditë frymëzimi dhe ndjeshmërie artistike.

Atmosferën e Panairit e pasuroi ekspozita e piktorit të njohur George Pali, i cili i dha ngjarjes një dimension të veçantë estetik, duke e quajtur galerinë “Një shtëpi arti, ku libri dhe piktura flasin të njëjtën gjuhë”.

Ky edicion dëshmoi edhe një herë se fjala shqipe jeton përtej kufijve, duke konfirmuar tetorin si muajin e librit dhe të kulturës shqiptare në Amerikë.

Mision që vazhdon

Çdo libër i ekspozuar është një dritë që ndriçon përtej kohës, pjesë e shpirtit dhe historisë së atdheut. Letërsia lidh të shkuarën me të tashmen, lexuesin me autorin dhe komunitetin shqiptar me rrënjët e tij. Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë do të vazhdojë ta mbajë gjallë këtë traditë, duke organizuar çdo vit Panairin e Librit në Amerikë. Këto panaire nuk janë thjesht takime letrare; janë ura që lidhin shkrimtarët me lexuesit dhe fjalën e shkruar me shpirtin e një komuniteti që nuk do ë harrohet kurrë. Në një vend ku kultura shqipe kërkon të ruhet e të hapë horizonte të reja, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë mbetet streha që mbledh pasionin dhe përkushtimin ndaj Letërsisë dhe Librit Shqip, duke i dhënë çdo vepre një dritë dhe çdo autori një vend në zemrën e komunitetit. Ky është angazhimi ynë! Ky është misioni ynë! Të kultivojmë gjuhën, historinë dhe artin e shqiptarëve në Amerikë, në ëndrrën që u bë realitet 16-vite më parë drejt këtij misioni të pafund.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë nënshkruar…