
Hollywood do të përgatisë një film për Kobe Bryant
Kompania e njohur kinematografike “Warner Bros”, ka blerë të drejtat për skenarin e një filmi, që tregon historinë se si ylli i Lakersave, Kobe Bryant, u refuzua nga New Jersey Nets dhe përfundoi në Los Angeles.
Një film për karrierën e Kobe Bryant do të ishte afërsisht sa gjatësia e filmit “Lufta dhe Paqja”. Madje ndoshta gjashtë orë e tridhjetë minuta nuk do të ishin të mjaftueshme. Kjo është arsyeja pse “Warner Bros” ka siguruar skenarin për një film që do të përqendrohet ekskluzivisht në ditën e draftit të Bryant. Titulli i përkohshëm është “Me Zgjedhjen e 8-të”.
Zgjedhja e tetë në atë draft ishte në pronësi të New Jersey Nets, të trajnuar nga John Calipari. Ekipi, i cili më vonë u zhvendos në Brooklyn, dukej i vendosur të nënshkruante me Kobe, por menaxheri i përgjithshëm John Nash u “nda” nga trajneri, i cili preferoi të përqendrohej te Kerry Kittles.
Kështu, djali i Jellybean përfundoi në Charlotte me zgjedhjen e 13-të, e cila më pas e shkëmbeu atë me Lakers në këmbim të Vlade Divac. Marrëdhënia e Bryant me kinemanë ishte e fortë edhe para vdekjes së tij tragjike. Ai fitoi një Oscar për “Dear Basketball”, një film i shkurtër i animuar për tërheqjen e tij nga basketbolli, të cilin ai e shkroi dhe e rrëfeu. Kobe, i cili vdiq kur helikopteri i tij u rrëzua në kodrat pranë Los Angeles më 26 janar 2020, do të mbushte 47-vjeç më 23 gusht.