HOMAZH PËR LUMIN
Nga: Hisen Berisha
Ka thënie që e përkufizojnë miqësinë si “vëllazëri që nuk e lidh gjaku, por besa”. Disa thonë se “shoku i vërtetë është ai që ecën me ty edhe kur bota të kthehet kundër”. Të tjerë e përkufizojnë besnikërinë me fjalët “Miku i idealit nuk të lë vetëm as në luftë, as në paqe, as në udhëtimin e përditshëm të jetës”.
Sot, të gjitha këto thënie marrin kuptim të dhimbshëm dhe të thellë, sepse flasim për një njeri që i mishëronte të gjitha – Lumni Lushaj.
Sot, 18.11.2025, nga një aksident tragjik u nda nga jeta miku, bashkëluftëtari, bashkëveprimtari dhe bashkëudhëtari i luftës dhe paqes, njeriu i fjalëve të pakta e punëve të mëdha, me të cilin ndamë çdo mendim, çdo angazhim dhe çdo hap për liri, drejtësi dhe dinjitet kombëtar.
Vetëm pak orë më parë, pimë bashkë kafen e mëngjesit te “Lisi”, me qëllimin që bisedën ta vazhdonim në Prishtinë, për çështjet e shtetit, për interesin e përgjithshëm të popullit, për rrugën që e besonim të drejtë. Ora e tij u nda papritur, por jo edhe misioni i tij. Ai mbeti amanet, puna për shtetin e Kosovës.
Nga lufta për lirinë e Kroacisë, e deri te lufta për lirinë e Kosovës; nga fronti i rezistencës me armë, te beteja e vështirë e paqes për ndërtimin e vlerave të lirisë, vëllai i armës, Lumni Lushaj, mbeti i njëjtë, i drejtë, i pastër dhe i pathyeshëm.
Me këtë rast, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta vëllezërve, fëmijëve, bashkëshortes dhe familjes së gjerë Lusha, në Gjonaj të Hasit të Prizrenit.
Ngushëllime të thella të gjithë bashkëluftëtarëve, bashkëveprimtarëve dhe bashkudhëtarëve të Lumit, me theks të veçantë miqve tanë të përbashkët, Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit, me të cilët Lumi nuk u nda kurrë në angazhimet për të mirën e shtetit dhe të kombit.
Ngushëllime të gjithë bashkëluftëtarëve shqiptarë e kroatë, të luftës për liri të Kroacisë, me të cilët ai luftoi krah për krah, me të njëjtën besë, me të njëjtin ideal dhe me të njëjtën zemër shqiptari që digjej për drejtësi.
Ngushëllim të veçantë për z. Nezir Çoça, të cilin e fali Zoti në këtë aksident, me lutjet tona për shërimin e shpejtë e të plotë.
Miku ndërrohet, por vëllai i armës mbetet me ne përgjithmonë.
Lumi iku për t’u shndërruar në kujtim të përjetshëm, në gjurmë nderi dhe në testament besnikërie.
Lavdi jetës, veprës dhe rrugës së tij!



