Horizonti shpirtëror i një lirike

14 nëntor 2025 | 08:31

Sadik Krasniqi

Arif Bozaxhi, Dhembja e heshtjes, Lena, Prishtinë, 2024

Vëllimi më i ri me poezi i poetit elegant në letërsinë shqipe, Arif Bozaxhiut, vjen në shenjë të gjashtëdhjetë­vjetorit të krijimtarisë së tij poetike. Dhembja e heshtjes është një horizont shpirtëror i poetit. Në këtë horizont plekset metafizika kozmogonike, mistike, mitike, ezo­terike, erotike e etike e poetit. Në këtë horizont si “e vetmja stinë që s´i bien gjethet” defilojnë dyzet poezi, secila më e bukur se tjetra. Dhembja e heshtjes është një “shkreptimë lirike”, do të shoshte Arshi Pipa, ose një epifani rrezullimi prej eterizmi me synim eterniteti. E gjithë kjo epifani poetike ndërtohet përmes një fluiditeti gnomatik.

Epigramet lirike të këtij vëllimi konstruktohen përmes sentencave metaforike, me imagjinatë mahnitëse. Subjekti lirik i tufës poetike është një botë e pasur interspektive përjetuar thellë si akt krijues e që do të përjetohet po aq thellë edhe gjatë leximit. Tematika me motive të ndry­shme, erotike, refleksive, filozofike, estetike, thuret për­mes një stili fisnik e figuracion të pasur.

Të folurin lirik Bozaxhiu e stilizon përmes simboleve të kryetipave apokaliptike (sipas Northrop Frajit) si: dielli, qielli, yjet, planeti, shiu, uji, deti, hiri, zogu, pëllumbi, ulliri, lulja, nata, dita etj. Të gjitha këto simbole konvencionale Bozaxhiu i kontekstualizon dhe i personalizon efektshëm, me të cilat krijon sentenca të bukura metaforike. Zogu dhe shiu zënë goxha shumë vende në poezi. Me këto dy figura krijon imazhe me përmasa kozmike si në poezinë Gjithësia:

Rreth një zogu

Sillet gjithësia

Dhe frymon

Një pikë shi.

Arif Bozaxhiu me ëndje end kontrastin figurativ: gjithësi-një pikë shi, dielli-hija, shiu-etja etj. Përmendjen e Zija Çelës për ashkun e të shkruarit dhe ashkun e të lexuarit, sikur e përligj poeti gjatë çdo poezie të vëllimit, sidomos kur shkruan për dashurinë ndaj gruas.

Ai në poezinë Dy qytete e shpreh këtë afsh prej ashku:

Gjinjtë e saj

Me xhelozi më shikojnë

Si dy zogj të etur

Duan të fluturojnë

Në prushin e duarve

Të mia

Ishin këto vetëm pak fjalë mbresëlënëse për librin e ri të Arif Bozaxhiut, vetëm si vëmendje për lexuesin dhe adhuruesit e poezisë së tij elitare, që do t’i shtoja edhe mendimin e redaktorit të këtij libri, kritikut Fehmi Ajvazi, nga recensioni i tij që e shoqëron librin, i cili shprehet: “Gjashtë dekada ky shkrimtar vrojton, analizon, gjykon…! Ai ka jetuar me kohën e tij, por mbase më shumë me kohën e të tjerëve, u ka dhënë kohëve imazhe, formë, dashuri, liri dhe gjithçka tjetër”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sadik Krasniqi Xhevat Muqaku, Orë e (v)arkës në liqenin e…