
Hoti: BE-ja pezulloi mbi 600 milionë euro projekte për Kosovën, 7.1 milionë janë të humbura përgjithmonë
Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian (BE) ndaj Kosovës kanë pasur ndikim të thellë financiar për vendin, me një kosto të përgjithshme që arrin në 613.4 milionë euro për periudhën qershor 2023 – prill 2025.
Kështu ka thënë ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, sipas të cilit kjo shifër përfshin projektet që janë pezulluar për një afat të pacaktuar si pjesë e sanksioneve të vendosura nga Brukseli.
“613.4 milionë euro është kostoja totale e masave të BE-së ndaj Kosovës për periudhën qershor 2023 – prill 2025. Këtu përfshihen projektet e pezulluara për afat të pacaktuar”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.
Por sipas tij, nga kjo shumë, 7.1 milionë euro janë fonde të humbura përfundimisht.
“Nga kjo shumë, 7.1 milionë euro janë të humbura plotësisht, të cilat parashiheshin për bujqësi, turizëm rural, ndërmarrje etj. Sektorët më së shumti të ndikuar janë: mjedisi 351 milionë euro, energjia 114 milionë euro, digjitalizimi 57 milionë euro, kultura 15 milionë euro, etj”, ka shkruar Hoti.