
Hoti, BE-së: Në marrëveshjen me Serbinë të përfshihet edhe njohja nga pesëshja evropiane
10 korrik 2020
| 13:04
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë në Samitin virtual të Parisit se Kosova do të angazhohet në dialogun me Serbinë bazuar në disa parime.
Në kontekst të këtyre parimeve, Hoti ka pasur një kërkesë nga Bashkimi Evropian që në marrëveshjen finale me Serbinë të sigurohet edhe njohja e pesëshes evropiane të cilat ende refuzojnë shtetësinë e Kosovës
Bazuar në këto parime, Hoti ka thënë se Kosova do të angazhohet në dialog me objektiva të qarta, në të cilën duhet të arrihet marrëveshja:
- Marrëveshja gjithëpërfshirëse e paqes midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të rezultojë në njohje reciproke. Pa një përfundim të tillë të këtij procesi, marrëveshja nuk mund të ketë sukses. Njohja e ndërsjellë midis dy vendeve është mënyra e vetme për të normalizuar marrëdhëniet dhe shtruar rrugën për të dy vendet për integrimin në BE.
- Rezultati i kësaj marrëveshje duhet të jetë gjithashtu detyrimi i BE-së për të përfshirë njohjen e Kosovës nga pesë vendet e mbetura të BE-së.
- Anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara duhet të jetë gjithashtu pjesë e rezultatit të marrëveshjes gjithëpërfshirëse të paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo natyrisht nënkupton zëvendësimin e Rezolutës 1244 të Sigurimit të Kombeve të Bashkuar.
- Ndjekja e anëtarësimit në organizata të tjera ndërkombëtare dhe hapja e qartë e perspektivës evropiane për Kosovën është objektivi ynë dhe apeli ynë krahas këtij procesi.
- Dhe e fundit, personat e humbur dhe viktimat e të gjitha formave të dhunës, dëmeve të luftës, viktimave, çështjeve të shqetësimit tonë maksimal në këtë proces. Asnjë normalizim nuk mund të bëhet më përpara se të vijë deri në momentin e duhur.
“Bazuar në këto parime dhe objektiva, Republika e Kosovës është e gatshme të jetë një partner konstruktiv dhe bashkëpunues në dialogun duke arritur një Marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese”, ka thënë Hoti.