Hoti: Deklarata e Osmanit, autogol diplomatik që i bëhet Kosovës
“‘900 banda kriminale të shkatërruara’ nuk është vetëm një statistikë e rreme, por është autogol diplomatik që i bëhet Kosovës. Kjo nuk tregon sukses, por i jep botës mesazhin e rremë se Kosova është e zhytur në krim të organizuar”, ka thënë deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, duke komentuar deklaratën e presidentes Vjosa Osmani se për pesë vjet kanë shkatërruar 900 banda kriminale.
“Deklarata të tilla tragjikomike e ulin kredibilitetin e Kosovës dhe e dëmtojnë imazhin, duke e vendosur në listë me vendet problematike të botës. Kosova ka nevojë për lidership dinjitoz, serioz dhe të përgjegjshëm. Sigurisht se ky i fundit nuk është rasti i vetëm. Dëmi po mbetet, pavarësisht sqarimit, që po e dëshmon mungesën e seriozitetit. Kështu ndodh kur tentohet të përdoret çdo medium, në vend e jashtë, për t’i shërbyer partnerit të saj në krye të qeverisë”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.
Ai ka thënë se detyrë e saj është të merret me ndërprerjen të partneritetit strategjik me SHBA, me sanksionet nga BE, me funksionimin joligjor të qeverisë, me emërimin e kryeprokurorit e raste të tjera. Këto i ka harruar. “Fundi po vjen, asnjë rezultat, vetëm shërbim me devotshmëri në agjendën shtetrrënuese të partnerit të saj”, ka shkruar Hoti.



