Hoti: Do t’u ndihmojmë fermerëve dhe përpunuesve të qumështit me të gjitha kapacitetet ligjore në dispozicion

24 shtator 2020 | 13:40

Ka dy javë që prodhuesit e qumështit, fermerët kanë vështirësi në plasimin e qumështit të tyre. Gjatë këtyre ditëve Ministria e Tregtisë dhe AVUK-u, kanë punuar për të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore, që i ka në kompetencë qeveria, për të përmirësuar situatën sa i përket sektorit të qumështit.

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se qeveria mbështet dhe do të subvencionojë shumë këtë sektor për litër të qumështit dhe në kategori të ndryshme për cilësi të qumështit.

“Duket se për shkak të situatës që është krijuar në treg nga pandemia kryesisht, ka ngopje të tregut me qumësht dhe si rezultat përpunuesit e qumështit, ata që e nxjerrin qumështin në treg, e kanë të pamundshme ta shesin atë në treg dhe rrjedhimisht kanë vështirësi që të pranojnë qumësht nga fermerët”, është shprehur ai, duke theksuar se gjatë këtyre ditëve kanë bërë edhe analizat e nevojshme në dy fronte, përmes Ministrisë së Tregtisë me Inspektoratin e Tregut, për t’u siguruar që në treg konsumatorët të dinë çfarë blejnë.

Sipas kryeministrit, ka mjaftë vërejtje që konsumatorët nuk janë të qartë në produktin që blejnë se a është me vaj palme apo është produkt me bazë qumështi. “Inspektorati i Tregut dhe Ministria e Tregtisë, por edhe ministri, sot janë në terren, për t’u siguruar që në markete kudo që shitet qumësht dhe produkte të tjera, bëhet e qartë pra që shiten në lokacione të ndryshme brenda marketeve, produktet që janë me bazë të vajit të palmës dhe produktet që kanë bazë qumështin natyror”, ka thënë ai.

Kryeministri ka pohuar se AVUK-u është duke punuar intensivisht, duke marrë mostra në terren nëpër markete të ndryshme, për t’u siguruar që produktet që shiten e kanë përmbajtjen në bazë të etiketës.

“Unë e di sa problem është dhe sa vështirë e kanë sot i gjithë ky sektorë i prodhimit dhe përpunimit të qumështit. Do t’ju qëndrojmë afër duke inspektuar në mënyrë rigoroze tregun, për t’u siguruar se konsumatorët dinë çfarë blejnë, pra kur të hynë në markete këto produkte të shiten në dy lokacione të ndryshme brenda marketit dhe në të njëjtën kohë AVUK-u do të jetë shumë i angazhuar në terren për të marrë mostra gjithkund dhe për të bërë testimet e nevojshme. Është kompetencë ligjore e AVUK-ut dhe Ministrisë së Tregtisë dhe obligim ligjor që të funksionojnë, të jenë rigoroz në terren ndaj atyre që e shkelin ligjin për mbrojtjen e konsumatorit duke mos i shitur produktet ashtu siç shkruan në etiketë”, ka deklaruar Hoti.

Hoti ka theksuar se do t’u ndihmojnë fermerëve dhe përpunuesve të qumështit me të gjitha kapacitetet ligjore që kanë në dispozicion. “Po punojmë gjithashtu edhe me Ministrinë e Bujqësisë që t’ju dalim në ndihmë fermerëve dhe përpunuesve të qumështit në këtë kohë të vështirë, jo vetëm për ata, por edhe për shumicën e sektorëve në vend. Sektori i qumështit ka efekte multiplikuese në krejt zinxhirin e bujqësisë, andaj është tepër i rëndësishëm dhe prandaj sot kemi ftuar konferencë për media për të bërë të qartë para fermerëve dhe përpunuesve të qumështit se do të jemi afër tyre në mbështetje me të gjitha kapacitetet ligjore që i kemi në dispozicion, por sigurisht duke respektuar edhe tregun edhe konkurrencën e ligjore në treg”, ka deklaruar kryeministri Hoti.

(A.M / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është dënuar me burgim të përjetshëm ish-rreshteri i Policisë së…