Hoti i reagon LV-së: Përbuzësit të shtetit duhet të largohen me votë nga qeverisja
Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar pas deklarimeve që janë bërë nga akterë të Vetëvendosjes, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa (PZAP) ka vendosur se votimi jashtë përfaqësive diplomatike të Kosovës është i kundërligjshëm.
Ky vendim që ka ardhur si rezultat i ankesës së LDK-së në këtë institucion, Hoti ka thënë se duhet të pranohet nga LV-ja, por sipas tij, ata nuk e kuptojnë esencën e integritetit shtetëror.
“LDK-ja ka qenë e detyruar të dërgojë shumë ligje në Gjykatën Kushtetuese, si asnjëherë më parë në historinë e jetës parlamentare në Kosovë. Shumica e atyre ligjeve janë shpallur jokushtetuese. Në këtë kuptim duhet parë edhe ankesën e LDK-së në PZAP, lidhur me vendimin e KQZ-së për votimin e diasporës jashtë përfaqësive diplomatike të Republikës së Kosovës. Është naive të mendohet se mund të sigurohet integriteti i procesit të votimit në objekte private në shtete të huaja. Në këtë drejtim, ankesa e LDK-së duhet kuptuar si veprim për ruajtjen e integritetit të procesit të votimit, e rrjedhimisht edhe të integritetit të përgjithshëm shtetëror të Kosovës. Në vend se të pranohet vendimi i PZAP-it me përulësi e respekt ndaj këtij institucion, këta dalin e shajnë LDK-në. Është e qartë se këta nuk kuptojnë esencën e termit ‘integritet shtetëror’. Çdo debat me ta në këtë aspekt është i kotë. Këta përbuzës të shtetit të Kosovës duhet larguar me votë nga qeverisja”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.
Sipas Hotit, LDK-ja në aktivitetin opozitar të katër viteve të qeverisjes së LV-së dhe aleatëve të saj, detyrimisht është fokusuar në kontrollin dhe parandalimin e dëmeve në ekonomi, në shoqëri e në integritetin shtetëror të Kosovës, të shkaktuara siç ka thënë ai në vazhdimësi nga vendimet arbitrare të kryeministrit dhe ministrave, nga ligjet jokushtetuese të miratuara në Kuvendin e Kosovës dhe nga vendimet joligjore të agjencive të pavarura.



