
Hoti ia kthen Osmanit: E ka hallin që po e dorëzon mandatin, e do të mbahet përgjegjëse për rrënimin e reputacionit të Kosovës
Deputeti i LDK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj deklarimeve të presidentes Vjosa Osmani, të bërë sot në konferencë për media e ku e ka quajtur ish-bashkëpunëtorin e saj si “tepër jorelevant” që s’dëshiron t’ia kushtojë as edhe një sekond.
Hoti ka thënë se Osmanit po i mbaron mandate në krye të presidencës pa asnjë rezultat konkret dhe sipas tij, asaj tashmë po i del demagogjia dhe mashtrimet sheshit.
“Kjo e ka hallin se në prill e dorëzon mandatin dhe do të mbahet përgjegjëse dhe bashkëfajtore për rrënimin e reputacionit të shtetit të Kosovës dhe dëmet që i janë bërë e po i bëhen shtetit të Kosovës”, ka shkruar Hoti.
Postimi i plotë
Po i mbaron mandati 5-vjeçar në krye të shtetit të Kosovës pa asnjë rezultat e pa asnjë kontribut për shtetin e Kosovës.
Pesë vite demagogji e mashtrime, të cilat po dalin sheshit. Pesë vite në shërbim të agjendës shtetrrënuese të bashkë-mashtruesit. Ky është problemi që ka Vjosa.
Kjo e ka hallin se do të mbetet në histori si mashtruesja më e madhe e elektoratit djathtist të LDK-së.
Kjo e ka hallin se në prill e dorëzon mandatin dhe do të mbahet përgjegjëse dhe bashkëfajtore për rrënimin e reputacionit të shtetit të Kosovës dhe dëmet që i janë bërë e po i bëhen shtetit të Kosovës.
Asnjë fjalë nuk e flet për vendimet e organeve të drejtësisë që konstatojnë uzurpimin e institucioneve nga LVV dhe partnerët e saj, përfshirë ish-partinë e saj Guxo.