Hoti ia tregon Kurtit rrugët ligjore për pagat e punëtorëve të RTK-së

07 gusht 2025 | 08:23

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duket se nuk e ka ndër mend t’u bëjë zgjidhje punëtorëve të RTK-së.

Kur u pyet dje nga RTK-ja, për 700 familje që mbeten pa pagë, ai filloi ta konstatoj të dukshmen, “s’ka Kuvend” – tha, e rrjethimisht “s’ka komision”.

Kur RTK e pyeti se përse nuk po vepron sikurse ish-Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, kur në një situatë të ngjashme s’i kish lënë pa paga e pa buxhet RTK-në, Kurti u thirr në paligjshmëri të një veprimi të tillë.

“Ajo është praktikë jo ligjore e kryeministrit Hoti. Unë nuk mund të shkeli nëpër atë rrugë jo ligjore paçka se ajo tashmë është bërë” – tha ai.

Hoti, që kishte bërë zgjidhje në vitin 2021 në një situatë të ngjashme, e demantoi Kurtin, për ‘paligjshmërinë’.

“Ndarja e buxhetit për RTK-në në fillim të vitit 2021, kur ende nuk ishte konstituuar Kuvendi, ka qenë plotësisht ligjore. Buxheti i vitit 2021 ka qenë i miratuar. Vendimi i atëhershëm i Qeverisë ka paraparë hapat që duhej të ndiqeshin deri në vendimin e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa. Kështu që, deklarimi i sotëm i Kurtit lidhur me atë vendim është tentim për mashtrim të opinionit” – shkroi Hoti.

Ndryshe, punëtorë të RTK-së, dje kanë protestuar para qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar alokimin e mjeteve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrëmë në Poloni në stadiumin e Poznan u zhvillua ndeshja…