
Hoti: Kam qenë kundër mini-shengenit, por SHBA-ja e kërkoi dhe e pranuam
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur rreth idesë së mini-shengenit ballkanik, pas marrëveshjes së arritur për normalizim ekonomik më 4 shtator midis Kosovës dhe Serbisë në Washington në prani të presidentit amerikan, Donald Trump.
Për këtë ide, Hoti ka qenë vazhdimisht kundër, por ai thotë se atë e ka kërkuar SHBA-ja, prandaj e ka pranuar.
“Nuk i mohoj deklaratat e mija rreth mini-shengenit. Unë kam qenë kundër edhe në Washington, por më është kërkuar nga Shtëpia e Bardhë që ta pranoj këtë, që Kosova të bëhet pjesë e kësaj iniciative, prandaj e kam pranuar.
Tash do të punojmë që t’i bashkohemi kësaj iniciative, por ne do të kujdesemi që të jemi të barabartë në këtë iniciativë”, ka thënë Hoti në T7.
Kryeministri Hoti tha se garanton që në tavolinat e diskutimeve ku ai do të merr pjesë nuk do të diskutohet për shkëmbim të territoreve Kosovë-Serbi.