Hoti kërkon rezolutë për dialogun: Mungesa e transparencës, shqetësuese
Deputeti i LDK-së, Abdullah Hoti, e ka akuzuar qeverinë Kurti për mungesë të transparencës në procesin e dialogut teknik me Serbinë, duke e cilësuar si situatë shqetësuese për Kuvendin dhe qytetarët e Kosovës.
Hoti ka thënë se ka përshtypjen që zhvillimet në kuadër të marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit kanë ndikuar që ekzekutivi të hezitojë të raportojë në Kuvend për këtë proces.
Ai ka kërkuar që Kuvendi të nxjerrë një rezolutë që adreson çështjen e transparencës dhe rikonfirmon orientimin për marrëveshje me njohje reciproke.
“Në emër të grupit parlamentar të LDK-së, do të flas për dy tema nacionale, e para është dialogu me Serbinë. Gjatë këtyre muajve dhe viteve, në menaxhimin e këtij procesi është një kthim prapa dhe nuk është hera e parë që po e përmendim, sepse ka pasur një dakordim që ky proces të orientohet drejt marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke, ndërkohë që tash është kthyer mbrapa, në atë që ne e kemi quajtur për vite të tëra, dialog teknik”, ka thënë Hoti.
Kujtojmë se Hoti kishte nënshkruar marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2020, ku Kosova dhe Serbia, në Shtëpinë e Bardhë ishin dakorduar për normalizimin ekonomik, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.



