Hoti: Liria e medieve u cënua nga pushteti, jemi për 24 pozita më keq
Ish-kryeministri i Kosovës nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, ka shkruar në lidhje me rënien e Kosovës nëpër indekset kredibile ndërkombëtare, për liri të medias.
Sipas Hotit, kjo rënie ka ndodhur për disa faktorë, por të gjithë të lidhur me qëllimin e pushtetit, për ta ndalur fjalën e lirë.
“Kjo duhet të marrë fund. Liria e medias është liri elementare e garantuar me Kushtetutë”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.
Postimi i plotë:
Liria e mediave në Kosovë është cenuar në vitet e fundit dhe kjo vërehet qartë, si në rangimin ndërkombëtar të Kosovës, e gjithashtu edhe në indeksin e përgjithshëm sa i përket lirisë së shtypit. Mes vitit 2024 dhe 2025, Kosova ka rënë për 24 pozita në rangimin ndërkombëtar në lirinë e shtypit.
Ky përkeqësim i lirisë së shtypit sigurisht se nuk ka ndodhur përmes ndryshimit të ligjeve, sepse Kushtetuta nuk e lejon. Sikur këta të kishin mundësi, duke pasur parasysh mentalitetin qeverisës që kanë, ndoshta do ta kishin ndryshuar edhe kushtetutën e ligjet për të ndaluar çdo kritikë ndaj tyre.
Përkeqësimi i situatës është rezultat i:
– sulmeve të vazhdueshme të pushtetit ndaj mediave,
– tentimit për të mbyllur njërin nga mediumet kryesore në vend, që u ndaluar nga gjykata,
– ndërhyrjes në mediumin e vetëm publik,
– mosdhënies llogari të qeverisë para publikut përmes mediave,
– mospërgjigjes nga ana e institucioneve në pyetjet e gazetareve, që dëshmohet me vendimet e KPM-së dhe dënimet që kanë paguar institucionet për mospërgjigje, etj.
Kjo duhet të marrë fund. Liria e medias është liri elementare e garantuar me Kushtetutë.



