Hoti me delegacionin e parlamentit të Zvicrës: Dialogu Kosovë-Serbi, nuk ka alternativë

11 nëntor 2020 | 14:51

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur sot në takim një delegacion nga Parlamenti i Zvicrës, i kryesuar nga presidentja e Parlamentit Isabelle Moret, raporton “Epoka e re”.

Kryeministri Hoti me presidenten Moret biseduan për zhvillimet e fundit në vendin tonë, me theks në menaxhimin e pandemisë Covid-19, procesin e dialogut Kosovë-Serbi si dhe luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit.

Sa i përket pandemisë me Covid-19, kryeministri Hoti e njoftoi Moret me gjendjen aktuale dhe me masat e reja që janë propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, konform gjendjes pandemike në vend.

Kryeministri Hoti, theksoi se dialogu Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, nuk ka alternativë dhe se pezullimi i këtij procesi nuk i shërben interesave shtetërore të Republikës së Kosovës. Ai ritheksoi se Kosova me Serbinë në Bruksel po dialogojnë për arritjen e marrëveshjes finale, me njohje reciproke, në kufijtë aktual.

Sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, kryeministri Hoti, e njoftoi delegacionin nga Parlamenti Zviceran me hapat që janë duke u ndërmarrë për riorganizimin e Policisë së Kosovës, me të cilat synohet ngritja e efikasitetit në punë. Por duke insistuar gjithmonë në respektimin e ndarjes së pushteteve.

Temë e takimit ishte edhe diaspora e Kosovës që jeton në Zvicër dhe mundësitë e përfshirjes së tyre në projekte zhvillimore e investime kapitale në vendin tonë.

Kryeministri Hoti dhe presidentja Moret u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, ka vizituar sot Prekazin.…