Hoti: Miqësia me ShBA-të, jetike për të ardhmen e Kosovës

04 janar 11:53

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, u ka bërë thirrje bartësve të institucioneve të vendit që të tregojnë më shumë maturi politike karshi obligimeve ndërkombëtare.

Ai ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook”, se liderët shtetëror duhet të tregojnë para shteteve mike se nuk i druhemi drejtësisë ndërkombëtare dhe sipas Hotit, ata duhet të kërkojnë me ngulm që Gjykata Speciale të jetë shumë më efikase, në mënyrë që Kosova të lirohet sa më parë nga çfarëdo akuze e pretenduar. Ai ka bërë thirrje që të mos cenohet miqësia me ShBA-të, sepse sipas Hotit, është jetike për rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.

Postimi i plotë i Avdullah Hotit: 

Të mos e cenojmë miqësinë me ShBA-në, sepse është jetike për rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.

Jemi në prag të përvjetorit të dhjetë të pavarësisë. Një dekadë si shtet i pavarur duhet të na bëjë më të përgjegjshëm karshi obligimeve ndërkombëtare që kemi marrë me vullnetin e lirë.

Nuk guxojmë të eksperimentojmë dhe të cenojmë miqësitë që kemi me shtetet që na bënë të mundur realizimin e ëndrrave tona për liri e pavarësi.

Tre bartësit e institucioneve të vendit duhet të tregojnë maturi politike shumë më të madhe. Në fund të fundit, duhet të tregojmë para shteteve mike se nuk i druhemi drejtësisë ndërkombëtare dhe në fakt duhet të kërkojmë me ngulm që kjo gjykatë të jetë shumë më efikase që Kosova të lirohet sa më parë nga çfarëdo akuze e pretenduar.

Departamenti Amerikan i Shtetit në deklaratën e fundit ka qenë shumë i qartë në kërkesën që ka ndaj institucioneve të Kosovës dhe spektrit politik kosovar. Pres që të gjitha forcat politike të reflektojnë në këtë drejtim dhe t’i bashkohen LDK-së në ruajtjen e miqësisë me SHBA-të.

Për LDK-në, ruajtja e miqësisë së përhershme me SHBA-të është esenciale dhe jetike për rrugëtimin e sigurt të shtetit të Kosovës drejt strukturave euroatlantike. Rrugë tjetër nuk ka.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilltari i presidentit amerikane për Siguri Kombëtare, H.R. McMaster, ka…