Hoti njofton se pas 8 ditësh do të hapet sistemi online për tërheqjen e 10 për qind nga Trusti

04 dhjetor 2020 | 16:39

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për medie ka folur në lidhje me miratimin e Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike.

Ai ka bërë me dije se pas 8 ditësh, kur pritet të hyjë në fuqi ky projektligj do të hapet sistemi online për tërheqjen e mjeteve nga Trusti në vlerën prej 10 për qind.

Hoti ka theksuar se procedurat për tërheqjen e këtyre mjeteve do të jenë shumë të thjeshta.

Në këtë kontekst, Hoti ka treguar se pas miratimit të këtij projektligji ka biseduar me përfaqësuesit e Trustit.

“Sapo pata një telefonatë të Trustit pensional ku do t’i takojë në fillim të javës, në mënyrë që të sigurohemi që sapo ky ligj të hyjë në fuqi qytetarët të kenë mundësi që përmes procedurave të thjeshta të mund t’i tërheqin menjëherë paratë nga Trusti”, ka thënë Hoti, duke shtuar se janë gjithsej 212 milionë euro të cilat qytetarët do të mund t’i tërheqin nga Trusti.

“Me ligjin që sapo është miratuar, aspektet kryesore janë rreth 212 milionë euro nga Trusti Pensional që mund të tërhiqen nga qytetarët. Është fondi prej 200 milionë euro vetëm për biznese. Është një fond tjetër prej 20 milionë vetëm për punëtorët që humbin vendet e punës. Është heqja e TVSh-së për lëndën e parë për prodhuesit vendorë, që besoj do të ndihmojë shumë në këtë drejtim. Po ashtu do të jetë lirimi nga interesat dhe ndëshkimet për të gjitha kompanitë për pagesën e tatimeve të ndryshme. Me këtë ligj parashihet edhe ulja e TVSh-së për gastronomi në 8 për qind dhe fondi për garantim të kredive, për mbulimin deri në 80 për qind të kolateralit për kreditë që do të marrin bizneset privatë që mendoj se do të gjenerojë miliona euro të ardhura”, është shprehur Hoti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Kosovës ka miratuar të premten Projektligjin për rimëkëmbje…