
Hoti paralajmëron krizë sociale dhe ekonomike që nuk është parë që nga 1999
Ish-kryeministri dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar se Kosova do të përballet me një krizë sociale dhe ekonomike për shkak të mungesës së një qeverie të re, e cila nuk është formuar ende, edhe pas tetë muajsh nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme.
“Kosova nuk ka qeveri të re as pas tetë muajsh nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme. Nuk është hapur rruga as për zgjedhje të reja, pasi partia që ka dalë e para në zgjedhje, në vazhdimësi e shkel Kushtetutën gjatë procedurave të konstituimit të Kuvendit. Si rezultat, Gjykata Kushtetuese detyrohet të caktojë disa herë masë të përkohshme. Në anën tjetër, dikasteret qeveritare janë pothuajse jofunksionale, pasi gjysma e anëtarëve të Qeverisë në detyrë e dinë se po qëndrojnë në zyrë në mënyrë joligjore, siç është konstatuar nga Gjykata Supreme në rastin e Ministrit të Financave. Si rezultat, mungon vendimmarrja dhe angazhimi i plotë i dikastereve qeveritare. Të gjithë ata e dinë se do të përballen me ligjin kurdoherë”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.
Ai ka thënë se buxheti i vitit 2026 nuk mund të miratohet në mungesë të Kuvendit funksional.
“Sipas evidencës që kam, Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2026-2028 nuk është miratuar në Qeveri. Ky dokument është bazë për nxjerrjen e Qarkores Buxhetore 2026/01, në bazë të së cilës përgatiten buxhetet e organizatave buxhetore. Pa buxhet të miratuar për vitin 2026, nga janari i vitit 2026 asnjë cent nuk mund të paguhet për paga e pensione, asistencë sociale apo mallra dhe shërbime për nevoja elementare të institucioneve. Kjo do të prodhojë krizë sociale dhe ekonomike që nuk është parë asnjëherë nga viti 1999. Kjo është papërgjegjësi e madhe e lidershipit politik dhe institucional”, është shprehur Hoti.
Ai ka shtuar se ekonomia është në konfuzion për shkak të pasigurisë institucionale.
“Prodhimi vendor duket se ka rënë, pasi deficiti tregtar po thellohet me ritme të shpejta. Sivjet, importi i mallrave do të arrijë nivele rekorde, duke iu afruar shifrës 7 miliardë euro. Eksportet, edhe ashtu në shifra të vogla, janë në rënie krahasuar me vitin paraprak. Mbulueshmëria e importeve me eksporte ka rënë nga 16.1% sa ishte në vitin 2021, në 14.8% në vitin 2024, me tendencë rënieje të mëtejme. Në muajin gusht 2028, mbulueshmëria e importeve me eksporte ishte vetëm 12.4%. Bizneset po përballen me mungesë të punëtorëve, përfshirë edhe ata me arsim fillor, që reflekton emigrimin në rritje të fuqisë punëtore. Rritja e pagave nga bizneset private nuk po e zgjidh problemin. Emigrimi duket se është proces shumë më kompleks për t’u shpjeguar vetëm me mundësitë për punë dhe pagë më të lartë në vende të tjera, që nënkupton se problemet bazike shoqërore janë përcaktues kryesorë të vendimit për emigrim”, ka deklaruar deputeti i LDK-së.
Sipas Hotit, në anën tjetër, krerët e shtetit enden nëpër takime në ShBA, shumica e tyre pa asnjë relevancë shtetërore.
“Ligjërimet e tyre nëpër ngjarje të ndryshme janë jo-shtetërore, ato nuk paraqesin gjendjen reale në asnjë aspekt. Ata po harrojnë se Kosovën e kanë njohur shumica e shteteve të botës, se Kosova ka nënshkruar MSA-në, se ka hyrë në bashkëpunime bilaterale e multilaterale në shumë drejtime dhe fusha. Tani Kosova ka përgjegjësi politike, ekonomike e të sigurisë për vete dhe për aleatët. Kosova pritet të luajë rol në sigurinë e përgjithshme, të jetë konstruktive dhe gjithmonë në bashkërenditje me strategjinë dhe veprimet e aleatëve perëndimorë”, ka thënë Hoti.