Hoti paralajmëron pasoja të mëdha pas vendimit të ZRrE-së: Do të largohen investitorët dhe papunësia do të rritet

30 korrik 2025 | 12:15

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka paralajmëruar pasoja të mëdha pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për dalje në treg të lirë të energjisë për bizneset.

Ai ka thënë se vendimi në fjalë ka krijuar pasiguri të madhe.

Hoti ka përmendur disa nga pasojat e vendimit ka përmendur, duke përfshirë largimin e investitorëve vendorë e ndërkombëtarë,  rritjen e kostove të bizneseve, etj.

“Vendimi i ZRrE-së për dalje në treg të hapur të energjisë për biznese, i cili nesër hyn në fuqi, ka krijuar pasiguri të madhe për furnizim me energji për biznese. Kjo gjendje është e pakuptimtë. Do të duhej të mbaheshin konsultime e të bëheshin shumë përgatitje. Vendimi do të duhej të dakordohej me komunitetin e bizneseve. Pasojat do të jenë të mëdha: largim i investitorëve ekzistues vendorë e ndërkombëtarë, mosardhje e investitorëve të rinj, mungesë e investimeve vendore, rritje e kostove të bizneseve vendore, humbje e aftësisë konkurruese të produkteve vendore në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, shtrenjtim i kostos së jetesës për qytetarë, rritje e papunësisë. Si rezultat, brenda një kohe të shkurtër do të vërejmë përkeqësim të bilancit tregtar, pasi produktet e huaja do të vërshojnë tregun tonë. Kjo qasje arbitrare e ZRrE-së, e mbështetur nga qeveria e mashtrimit, vetëm bizneseve kosovare nuk u shërben. Nuk e di në çfarë agjende janë futur ZRrE-ja dhe qeveria e mashtrimit, por sigurisht jo në agjendë që është në interes të bizneseve të Kosovës”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duke u bazuar në Ligjin Nr. 08/L-181 për Vlerësimin e…