Hoti: Për ne njohja reciproke është i vetmi qëllim i dialogut me Serbinë

08 korrik 2020 | 23:27

Kryeministri Avdullah Hoti ka bërë me dije se në takimin me presidentin e Francës, Emmanuel Macron temë e rëndësishme e ka qenë edhe procesi i dialogut me Serbinë.

“Siç e dini këtë të premte përmes video-konferencës mbahet Samiti i Parisit, i organizuar nga presidenti Macron dhe kancelarja Merkel, në mes të Kosovës dhe Serbisë. Edhe në takimin që kisha me presidentin, unë kam treguar qartë qëndrimin që kemi si Qeveri për dialogun me Serbinë, që është një proces shumë i rëndësishëm që e përmbyll një çështje të hapur në mes të dy vendeve”.

“Në detaje kam sqaruar para presidentit dhe besoj që kisha mirëkuptimin e tij për pozicionin që kemi ne si qeveri, që ne jemi të gatshëm të hyjmë në proces të dialogut, por për një dialog që nënkupton njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve, sepse është besoj mirëkuptim i gjitha palëve që vetëm njohja reciproke përfundimisht e qetëson këtë pjesë të Ballkanit dhe të Evropës dhe i mundëson të dy vendeve dhe mbarë regjionit perspektivë euroatlantike”, ka thënë të mërkurën gjatë një konference për medie kryeministri Hoti.

Ai ka thënë se pret me padurim që të premten të mbahet ky samit e të prezantojë qëndrimin shtetëror të Kosovës sa i përket procesit të dialogut.

“Për ne njohja reciproke është i vetmi qëllim i dialogut me Serbinë, normalisht edhe normalizimi i marrëdhënieve në mes të dy vendeve që duhet të jetë derivat i njohjes reciproke”, ka deklaruar Hoti.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liverpooli ka arkëtuar pikët e plota në udhëtim te Brightoni.…