Hoti për tunelin në rrugën Prizren-Tetovë: Mjetet i paguan Kosova, projektin na përzgjedh pala maqedonase

29 prill 2024 | 15:34

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka treguar parregullsitë që janë në marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Maqedonië së Veriut për ndërtimin e tunelit në rrugën Prizren-Tetovë.

Sipas Hotit, nenet 4 dhe 5 të marrëveshjes e paraqesin Kosovën në pozitë të pafavorshme dhe vetëm si palë mbikëqyrëse.

“Kriteret për përzgjedhjen e operatorit dhe procedurën e prokurimit i kryen pala, respektivisht “Fakulteti i Ndërtimtarisë në Shkup” dhe “Ndërmarrja Publike e Rrugëve Shtetërore” e Maqedonisë së Veriut. Marrëveshja nuk i jep asnjë rol Fakultetit të Ndërtimtarisë të Universitetit të Prishtinës, apo inxhinierëve të ndërtimtarisë në Ministrinë e Infrastrukturës të Republikës së Kosovës. Mjetet i paguajmë nga buxheti i Kosovës, por projektin na përzgjedh pala maqedone”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.

Postimi i plotë i Hotit:

Anomalitë e marrëveshjes Kosovë-Maqedoni e Veriut për projektin e tunelit në rrugën Prizren-Tetovë

Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëfinancim për “Përgatitjen e projektit të tunelit në rrugën Prizren-Tetovë”, e cila marrëveshje ka ardhur në Kuvendin e Kosovës për ratifikim.

Marrëveshja si e tillë është e natyrshme, pasi dy vendet duhet të përshtatin parametrat teknik të tunelit. Palët e bashkë-financojnë projektin e tunelit në proporcion me gjatësinë e tij në territorin përkatës.

Deri këtu marrëveshja është e pranueshme.

Por nenet 4 dhe 5 e vendosin palën kosovare në pozitë të pafavorshme dhe vetëm si palë mbikëqyrëse.

Në nenin 4 thuhet:

  • Kriteret për përzgjedhjen e operatorit për përgatitjen e projektit të tunelit zhvillohen nga “Fakulteti i Ndërtimtarisë në Shkup”;
  • Procedurat e prokurimit për përzgjedhjen e operatorit për përgatitjen e projektit për tunelin kryhen nga “Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore” e Maqedonisë së Veriut.

Në nenin 5 thuhet:

  • Pala kosovare e transferohen buxhetin e saj në “Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore” të Maqedonisë së Veriut;
  • Pala kosovare ka rol monitorues në këtë proces.

Kështu që, sipas nenit 5 është e qartë se kjo marrëveshje NUK i siguron palës kosovare rol vendimmarrës, por vetëm monitorues.

Kriteret për përzgjedhjen e operatorit dhe procedurën e prokurimit i kryen pala, respektivisht “Fakulteti i Ndërtimtarisë në Shkup” dhe “Ndërmarrja Publike e Rrugëve Shtetërore” e Maqedonisë së Veriut.

Marrëveshja nuk i jep asnjë rol Fakultetit të Ndërtimtarisë të Universitetit të Prishtinës, apo inxhinierëve të ndërtimtarisë në Ministrinë e Infrastrukturës të Republikës së Kosovës.

Mjetet i paguajmë nga buxheti i Kosovës, por projektin na përzgjedh pala maqedone.

A është kjo qasja “sovraniste” që po e promovojnë këta mashtrues?

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në derbin e fazës gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në…