Hoti: Sot një ish-kryeministër qëndron në zyrë në mënyrë jokushtetuese

04 korrik 2025 | 12:24

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se shkeljet kushtetuese të kryesuesit të përkohshëm të Kuvendit të Kosovës, që sigurisht janë të instruktuara nga partia e tij, po vazhdojnë edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Rrjedhimisht, LDK-ja detyrohet që sot ta dërgojë sërish çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Ashtu siç kërkohet nga Kushtetuta, Rregullorja e Punës së Kuvendit dhe aktgjykimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese që lidhen me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, LDK-ja ka marrë pjesë në votim dhe ka votuar sa herë që grupi më i madh parlamentar e ka nxjerrë në votim kandidaten për kryetare të Kuvendit. Kështu që ne e kemi respektuar obligimin tonë kushtetues për të marrë pjesë në votim”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.

Ai ka thënë se LDK-ja nuk mund të pranojë që forma e votimit të ndërrohet në mënyrë arbitrare dhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe praktikën parlamentare të deritanishme që lidhet me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

“Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese e sqaron këtë çështje në pjesën e arsyetimit të aktgjykimit, megjithëse nuk është e kuptueshme përse kjo nuk është përfshirë në dispozitivin e aktgjykimit, duke qenë se parashtruesit e kërkesës kishin kërkuar që kjo çështje të gjykohej. Një kandidat që nuk merr mbështetje disa herë në votim të hapur, mund të zgjidhet me votim të fshehtë vetëm nëse kontrabandohen votat. Në të kaluarën ka pasur aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese që kanë lënë pasoja për institucionet dhe skenën politike – vendime që kanë qenë të pabazuara në frymën e Kushtetutës dhe që me kohë po dëshmohen si të tilla. Vendime që sot po shihet se e kanë kurthuar rendin demokratik në Kosovë duke mos e respektuar parimin e shumicës. Brenda rendit kushtetues ekzistues, shumica vendos gjithmonë. Ndryshe nuk funksionon. Ndryshe mbetemi peng i tekeve të individëve e partive politike të papërgjegjshme. Por gjithmonë janë respektuar pa u sfiduar”, ka shkruar Hoti.

Hoti ka thënë se sot një ish-kryeministër qëndron në zyrë në mënyrë jokushtetuese. “Sot, një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese nuk respektohet dhe si rezultat vendi mbetet pa institucione tash e katër muaj, me pasoja të mëdha politike për procesin e integrimit euroatlantik dhe me pasoja ekonomike të pamatshme e afatgjata”, ka thënë Hoti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë i MKRS-së, Hajrulla Çeku ka bërë të…