Hoti: Tema e të pagjeturve nuk është kushtëzuar me personat e zhvendosur në zotimet e 4 shtatorit

19 nëntor 2020 | 12:02

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se tema e të pagjeturve nuk është kushtëzuar me personat e zhvendosur në zotimet e 4 shtatorit në Uashington, ashtu siç është thënë në kërkesën për interpelancë për këtë çështje.

“Pyetja e juaj e shtruar në këtë interpelancë: ‘Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur’, mendoj që është e pabazë, pasi askund nuk përdoret termi kushtëzim. Këtë term nuk mund ta gjeni në tekstin e marrëveshjes apo zotimeve, dhe as në planin e zbatimit të marrëveshjeve. Nuk bëhet fjalë për asnjë kushtëzim të këtyre dy çështjeve”.

“Pika e 12-të e marrëveshjes, e cila i referohet kësaj çështje, specifikon saktë se të dyja palët zotohen që të përshpejtojnë përpjekjet për të gjetur dhe identifikuar mbetjet e personave të zhdukur. Të dyja palët zotohen që të identifikohet dhe të zbatojnë zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme për refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit”.

“Të dyja palët zotohen që të identifikojnë një pikë kontakti për t’i udhëhequr këto përpjekje brenda ministrive përkatëse të qeverisë dhe sigurisht në koordinim mes Beogradit dhe Prishtinës për të siguruar rifreskim vjetor dhe të rregullt të rasteve për të cilat duhet të bëhet zgjidhje. Nuk ka asnjë të keqe nga këto zotime mes të cilave nuk figuron asnjëherë fjala ‘kushtëzim’. Besoj thellë që të gjitha këto janë në interesin më të mirë të shtetit të Kosovës dhe ndriçimit përfundimisht të kësaj çështje”, ka thënë Hoti në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë se nëse do të ketë marrëveshje përfundimtare me Serbinë, atëherë pjesë e marrëveshjes do të jetë edhe çështja e të pagjeturve dhe zhdukurve.

“Çështja e të pagjeturve nuk duhet të politizohet. Me një marrëveshje, sikur kjo e Uashingtonit, zgjidhja e çështjes së të pagjeturve pritet të përshpejtohet, sepse siç e keni parë procesi për gjetjen e mbetjeve mortore ka pasur dinamikë shumë më të madhe në Kosovë dhe në Serbi ku edhe aktualisht po bëhen gërmime për gjetjen e mbetjeve mortore”, ka deklaruar Hoti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia e Drejtësisë (PDK) është shprehur e shqetësuar me taktikat…