Hoti zotohet për transparencë në rekrutimin për pozitat e larta drejtuese

02 korrik 2020 | 13:46

Kryeministri Avdullah Hoti dhe ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për pozitat e larta drejtuese.

Me këtë rast, Hoti është zotuar për transparencë dhe konkurrueshmëri në procesin e rekrutimit.

“E falënderoj Qeverinë e Britanisë dhe ambasadorin britanik për gatishmërinë që të na mbështesin në këtë proces të rëndësishëm. Bashkë me zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj, që është përgjegjës për portfolion e rendit dhe ligjit në kuadër të Qeverisë, ministrin e Brendshëm, Agim Veliu dhe ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi në dikasteret ku bien pjesa më e madhe e pozitave të larta drejtuese brenda institucioneve në ndërmarrjet publike dhe agjencitë e tjera jemi zotuar që së bashku me partnerët tanë britanikë të sigurojmë dy gjëra gjatë procesit të rekrutimit: transparencë të plotë dhe konkurrueshmëri për të lejuar që njerëzit me përgatitjen më të mirë mbi baza meritore të vijnë në këto pozita”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se ky është një zotim i përmbushur i qeverisë që drejton.

“Sot po e përmbushim një zotim të rëndësishëm të qeverisë për t’u siguruar që njerëzit që emërohen në pozita të larta publike të lirohen nga mania e nepotizmit. Ne do të kujdesemi personalisht me ambasadorin [Nicholas Abbott] që kjo marrëveshje të zbatohet pikë për pikë”.

“Unë jam i bindur që do të arrijmë që të fusim brenda njerëzit më meritorë nëpër institucionet tona. Prej nesër e fillojmë procesin e rekrutimit që e kemi shtyrë derisa është nënshkruar marrëveshja, derisa do të kemi edhe partnerë të tjerë që na mbështesin”, është shprehur Hoti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-basketbollisti  dhe trajneri, Fikret Shatri sot do të niset drejt…