
Hovenier: Deklaratat e Kurtit kundër Gjykatës Kushtetuese çuan në pezullimin e Dialogut Strategjik
Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka shpjeguar se pezullimi i Dialogut Strategjik nga Shtetet e Bashkuara është pasojë e një grumbullimi frustrimesh ndaj Qeverisë së kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, ku veçanërisht ndikoi kritika e tij ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, Hovenier thotë se pezullimi duhet marrë seriozisht dhe e cilëson si një “humbje të madhe mundësie” për forcimin e partneritetit mes Kosovës dhe ShBA-së.
Më 12 shtator, ShBA-ja pezulloi Dialogun Strategjik me Kosovën, duke arsyetuar vendimin me veprimet e Qeverisë në detyrë dhe me rritjen e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë në vend.
Qeveria në detyrë e Kosovës i hodhi poshtë kritikat e ShBA-së, duke thënë se “veprimet tona, të ligjshme dhe kushtetuese, përgjatë gjithë kohës kanë qenë në shërbim të eliminimit të vatrave të destabilitetit”.
“[Dialogu Strategjik] do të ishte një hap i rëndësishëm për Kosovën, dhe është për keqardhje që nuk do të ndodhë. Kjo nuk do të thotë se bashkëpunimi i vazhdueshëm është pezulluar ose dëmtuar, por do të thotë se një mundësi për ta rritur dhe forcuar atë, për momentin, është ngrirë. Kjo duhet të tërheqë vëmendjen e të gjithëve që brengosen për fuqinë dhe vitalitetin e marrëdhënies”, thotë Hovenier, tani bashkëpunëtor i lartë jorezident në Qendrën për Evropë të Këshillit Atlantik.
Ambasador Hovenier, sa serioz është vendimi i Uashingtonit për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën?
Hovnier: Mendoj se duhet marrë seriozisht. Dialogu Strategjik është një instrument diplomatik, që Shtetet e Bashkuara e përdorin për t’i avancuar marrëdhëniet dypalëshe me vende të ndryshme. Ai përfshin diskutime në nivel të lartë mbi një agjendë të gjerë, të përcaktuar paraprakisht.
Ne nuk kemi pasur më parë Dialog Strategjik formal me Kosovën. Por, jemi angazhuar në procese të tilla me disa vende në Evropën Juglindore: Bullgarinë, Rumaninë, Greqinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut.
Në to trajtohen gjëra si: siguria, mbrojtja, siguria energjetike, tregtia, investimet, siguria kibernetike, lidhjet mes njerëzve. Ideja është që të promovohen stabiliteti dhe prosperiteti, pjesëmarrja ose integrimi më i thelluar në institucionet evropiane dhe euroatlantike. [Dialogu Strategjik] do të ishte një hap i rëndësishëm për Kosovën, dhe është për keqardhje që nuk do të ndodhë. Kjo nuk do të thotë se bashkëpunimi i vazhdueshëm është pezulluar ose dëmtuar, por do të thotë se një mundësi për ta rritur dhe forcuar atë, për momentin, është ngrirë. Kjo duhet të tërheqë vëmendjen e të gjithëve që brengosen për fuqinë dhe vitalitetin e marrëdhënies.
Çfarë mesazhi po përpiqet të dërgojë ShBA-ja tek udhëheqësia e Kosovës me këtë hap?
Hovnier: Nëse lexoni deklaratën e ShBA-së, atë të lëshuar nga Ambasada e ShBA-së në Prishtinë në kohën kur është bërë njoftimi, është e qartë se ky vendim është marrë nga autoritetet e Uashingtonit, si rezultat i perceptimit të tyre se Qeveria e kryeministrit në detyrë [Albin] Kurti nuk po bashkëpunon mjaftueshëm. Ato konsiderojnë se, pavarësisht këshillave, sugjerimeve dhe përpjekjeve të ShBA-së, kryeministri dhe Qeveria e tij në detyrë vazhdojnë të ndërmarrin veprime që, sipas Shteteve të Bashkuara, ndikojnë drejtpërdrejt dhe negativisht në sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Por, vini re se kjo pikëpamje nuk duket të jetë vetëm e Shteteve të Bashkuara. Partnerët evropianë, gjithashtu, kanë vazhduar të shprehin shqetësime të vërteta, lidhur me disa nga zgjedhjet politike të Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Kurti.
Intervista e plotë në linkun poshtë:
https://www.evropaelire.org/a/hovenier-marredheniet-shba-kosove/33532835.html