Hovenier: Kërkon koordinim para aksioneve në veri, Asociacioni urgjentisht në Kushtetuese

23 maj 2024 | 21:17

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka dhënë mesazhe të qarta lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Asociacionin, dinarin, dhe aksionet e fundit në veri.

Sipas Hovenier, aksioni i fundit në veri nuk i kontribuon stabilitetit.

Ai  theksoi se Amerika e njeh përgjegjësinë e qeverisë për shtrirjen e sovranitetit, por vetëm po kërkojnë që të punojnë e koordinohen bashkë.

“Unë nuk kam planifikuar domosdoshmërish të flas për këtë, por ka pasur edhe një çështje tjetër pikërisht këtë javë në të cilën Policia e Kosovës, me udhëzimin e Ministrit të Brendshëm, kreu operacione në veri të Kosovës në mënyra që ne menduam se nuk kontribuuan në synimet tona afatgjata të përbashkëta për stabilitetin dhe sigurinë që gjërat të bëheshin në një mënyrë që çojnë përpara dialogun dhe rrugën euroatlantike të Kosovës. Ne i ngritëm shqetësimet tona. Por, rezultati i këtij operacioni që qeveria e vijoi – dhe e bëri këtë veprim policor në një mënyrë që ne menduam se nuk ishte i koordinuar dhe që vinte në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës për zgjidhjen e disa çështjeve në dialog – rezultoi me deklarata publike nga Shtetet e Bashkuara, nga Bashkimi Evropian, shtetet individuale anëtare të BE-së, misioni i NATO-s, misioni i OSBE-së, të tjerët – të gjithë pak a shumë thanë të njëjtën gjë: kjo nuk është mirë për Kosovën”, tha ambasadori amerikan në një intervistë në Televizionin Publik të Kosovës.

“Ne duam ta shohim Kosovën përpara dhe pa marrë parasysh a pajtoheni me interpretimin tonë apo me interpretimin e qeverisë për këtë veprim, nëse Kosova dëshiron të ecë drejt strukturave evropiane dhe euroatlantike, ajo duhet të kenë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, shteteve individuale të BE-së, misionit të OSBE-së, NATO – pikërisht të këtyre institucioneve në të cilat Kosova dëshiron të anëtarësohet. Pra, ne duam që qeveria të punojë me ne. Ne pajtohemi me përgjegjësinë e qeverisë për të ushtruar sovranitet mbi tërë territorin e saj. Në këtë rast, ne jemi dakord që Banka Qendrore duhet të rregullojë institucionet financiare, por mënyra se si bëhet kjo duhet të jetë koordinim me ne për t’u siguruar që veprimet nuk vënë domosdoshmërish në pikëpyetje ose nuk pengojnë diskutimet e vazhdueshme në dialog apo nuk krijojnë sfida apo japin sinjale shtesë për një komunitet pakicë. Ne duam atë nivel bashkëpunimi. Shpresoj se do ta kemi atë, por duhet të them se më është dashur ta them këtë disa herë dhe nuk e kam parë ende atë rritje në bashkëpunim që shpresojmë ta shohim”, deklaroi më tutje ambasadori Hovenier në RTK.

Ambasadori amerikan deklaroi se kërkesa e tyre specifike është vetëm që drafti i Asociacionit të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Cilido që është vendimi i Gjykatës, ai tha se do ta respektojnë.

“Ne pajtohemi që në Kosovë të mos ketë një Republikë Serbe. Pajtohemi që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të mos ketë autoritet ekzekutiv; nuk duhet të krijojë një shtresë të re të qeverisë; nuk duhet të pengojë funksionimin e mirë të shtetit kosovar dhe duhet të jetë në përputhje të plotë me kushtetutën aktuale të Kosovës. Ky draft besojmë se i përmbush të gjitha këto. Ka disa që argumentojnë se ky draft-statut duhet të përmirësohet ose ndoshta nuk është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe kjo është arsyeja pse e vetmja gjë që po kërkojmë nga Kosova të bëjë është që ta dërgojë atë tek ky organ, te organi i vetëm në planet që ka autoritetin dhe kompetencat aktuale për të përcaktuar nëse është në përputhje me Kushtetutën apo jo – Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës”, tha Hovenier.

“Kjo është ajo që po kërkojmë. Tani, ne të gjithë do të respektojmë rezultatin e atij procesi. Të gjithë do të respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Duke pasur parasysh të gjitha ato përparësi, është e vështirë për ne të kuptojmë përse qeveria mund të dëshirojë të shqyrtojë një draft tjetër që ndoshta nuk do të ofrojë të gjitha përparësitë që i përmenda më lart. Pra, shpresojmë në përpjekjet tona për ta parë Kosovën të përparojë në rrugën e saj evropiane, që qeveria të marrë parasysh këshillat tona”, deklaroi ai.

Ambasadori komentoi edhe letrën e ministres Gërvalla ku u zotuan për ta bërë një draft të Asociacionit.

“Sa e kam kuptuar unë, edhe pse ajo ofertë është bërë në një letër që Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Jashtme Gërvalla ua ka dërguar autoriteteve të Këshillit të Evropës, në ndërkohë ajo gjithashtu ka thënë që kjo ofertë nuk është më relevante apo mendoj nuk është më në tavolinë. Lidhur me pyetjen se cili draft dhe si dërgohet më tej, kjo është çështje e rëndësishme dhe padyshim që është një zgjedhje sovrane e qeverisë së Kosovës se çfarë statuti zgjedh të hartojë dhe si e çfarë do të kërkojë të miratojë apo dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Por do të them se drafti i ofruar nga Bashkimi Evropian – ky draft statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe – ofron një sërë përparësish unike dhe të rëndësishme”, deklaroi Hovenier.

Ambasadori e vlerësoi si urgjentisht të rëndësishme për Kosovën që draftin e Asociacionit ta dërgojë në Kushtetuese.

“Shtetet e Bashkuara e kanë thënë vazhdimisht publikisht për një kohë shumë të gjatë dhe në administrata të ndryshme. Partnerët tanë evropianë e kanë thënë publikisht për një kohë shumë të gjatë. Kosova mori zotimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Është bërë në dialogun e lehtësuar nga BE. Ne besojmë fuqishëm se të gjitha obligimet e Kosovës dhe Serbisë në dialog janë të detyrueshme dhe ky është një prej tyre. Dhe po, ashtu siç presim që Serbia të përmbushë të gjitha obligimet e saj në kuadër të dialogut, presim që edhe Kosova të përmbushë të gjitha obligimet e saj. Dhe sipas këndvështrimit tonë, për Kosovën kjo urgjentisht përfshin lëvizjen përpara me Asociacionin, dërgimin e draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim kushtetues”, tha ambasadori amerikan.

Ambasadori theksoi se Kosova e meriton të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, por duhet vetëm që t’i respektojë kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trepça ka shënuar fitore ndaj Golden Eagle Yllit me rezultat…