Hoxha: BE-ja ta mbajë fjalën për liberalizimin e vizave

14 nëntor 2018 | 13:42

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se është thelbësore që vendimmarrja për liberalizimin e vizave për Kosovën të bëhet në fillim të dhjetorit.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka deklaruar se është e çuditshme që Kosova po përballet me dilema dhe pasiguri sa i përket liberalizimit, edhe pse i ka plotësuar të gjitha kriteret e këtij procesi.

“Disa shtete kanë shfaqur dilema të cilat janë absolutisht joracionale dhe, si të tilla, cenojnë rëndë kredibilitetin e BE-së. Na është thënë se ky është një proces teknik, se plotësojini kriteret dhe do ta keni liberalizimin e vizave. Ne i kemi plotësuar kriteret dhe tani po përballemi me dilema dhe pasiguri e cila është mjaft e çuditshme. Kolumbisë i është dhënë liberalizimi i vizave, kurse për Kosovën kemi hezitime nga disa shtete, që mund të interpretohet edhe si frikë nga kosovarët”, është shprehur Hoxha.

Megjithatë, ajo shpreson se BE-ja do t’i përmbahet premtimit për vizat. Hoxha ka bërë me dije se dështimi eventual i BE-së për liberalizimin e vizave pas përmbushjes së kritereve do ta vinte në pikëpyetje besimin e Kosovës karshi BE-së.

Madje ajo ka hedhur dyshime se nëse BE-ja nuk e mban fjalën për vizat si mund të jetë garantuese e marrëveshjes Kosovë – Serbi.

“E thashë edhe më herët se dështimi eventual i BE-së që t’u përmbahet rregullave të veta e që janë rezultatet pas përmbushjes së kritereve, pra liberalizimi i vizave për qytetarët tanë pas përmbushjes së kritereve do ta vinte në pikëpyetje të madhe besimin tonë karshi BE-së dhe institucioneve të saj. Si mund të jetë garantuese e marrëveshjes me Serbinë një BE që nuk e mban fjalën dhe nuk i përfill procedurat e veta”, ka deklaruar Hoxha.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në këtë intervistë ka folur edhe për zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane, me ç’rast ka thënë se nga 22 prioritetet deri më tani janë realizuar vetëm 8. Por, sipas saj, deri në fund të vitit pritet të realizohen prioritetet e mbetura.

Kurse sa i përket zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asocim, Hoxha ka treguar se është shtuar dukshëm zbatimi i prioriteteve dhe masave që dalin nga MSA-ja. Megjithatë, ajo ka shprehur optimizëm se deri në fund të tremujorit të katërt do të ketë nivel më të lartë të realizimit të MSA-së.

 “Epoka e re”: Znj. Hoxha, javën e kaluar është mbajtur takimi ministror për integrime evropiane në të cilin është diskutuar për përmbushjen e obligimeve të agjendës evropiane për reforma. Mund të na tregoni se deri në ç’masë keni arritur ju si ministri, por edhe ministritë e tjera, që t’i përmbushni obligimet që dalin nga ERA 1?
Hoxha: Ne kemi mundur të bëjmë më shumë, nga 22 prioritetet aktuale sipas shtyllave, tetë prioritete janë zbatuar plotësisht (31.82 për qind) ndërsa tjerat presim që deri në fund të vitit të realizohen. Institucionet kanë punuar mjaft në këtë drejtim por puna do të vazhdoj me lansimin e ERA 2 ku duhet të jemi më të përkushtuar dhe të angazhohemi më shumë.

“Epoka e re”: As Marrëveshja për Stabilizim Asocim (MSA) nuk është duke u zbatuar në nivelin e duhur. Çfarë jeni duke bërë në këtë drejtim në mënyrë që të rritet përqindja e zbatimit të MSA-së?
Hoxha: Në komitetin e MSA-së ne kemi raportin e tremujorit të dytë, i treti është në përgatitje, deri në fund të tremujorit të katërt, besoj në nivel të lartë të realizimit të masave të planifikuara të MSA-së. Ne kemi shtuar dukshëm zbatimin e prioriteteve dhe masave që dalin nga MSA-ja. Programi përmban 532 masa: 144 masa legjislative (27.06 për qind) dhe 388 masa zbatuese (72.94 për qind). Ministria e Integrimit është angazhuar dhe vazhdon të angazhohet maksimalisht që ta koordinojë procesin e implementimit dhe t’i ndihmojë sa më shumë institucionet zbatuese sepse gjithçka varet nga këto të fundit, domethënë janë ministritë e linjës dhe institucionet përkatëse të cilat janë përgjegjëse për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

“Epoka ere”: Këto ditë janë shtuar zërat se Kosova rrezikon ta marrë liberalizimin e vizave, madje edhe kancelari austriak gjatë vizitës në Prishtinë ka bërë me dije se disa vende të BE-së janë skeptike për këtë proces. Çfarë është duke bërë Ministria e Integrimit Evropian në veçanti, por edhe Qeveria në përgjithësi, për t’i larguar hamendjet e këtyre vendeve anëtare të BE-së?
Hoxha: Neve na është dhënë një udhërrëfyes me 95 kritere dhe ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret. Ato i ka konfirmuar Komisioni Evropian me raportin përkatës. Disa shtete kanë shfaqur dilema të cilat janë absolutisht joracionale dhe cenojnë rëndë kredibilitetin e BE-së. Na është thënë se ky është një proces teknik, se plotësojini kriteret dhe do ta keni liberalizimin e vizave. Ne i kemi plotësuar kriteret dhe tani po përballemi me dilema dhe pasiguri e cila është mjaft e çuditshme. Kolumbisë i është dhënë liberalizimi i vizave, kurse për Kosovën kemi hezitime nga disa shtete, që mund të interpretohet edhe si frikë nga kosovarët. Shpresoj se institucionet e BE-së të reflektojnë dhe t’u përmbahen rregullave që kanë vënë vetë, në të kundërtën do ta dëmtonte rëndë besimin tonë në BE-në dhe institucionet e saj.

“Epoka e re”: Ju në vazhdimësi keni deklaruar se zyrtarët e BE-së ju kanë premtuar se brenda vitit do t’i hiqen vizat Kosovës. Nga kush e keni marrë këtë garanci?
Hoxha: Jo një herë, por disa herë, të gjithë bartësit e përgjegjësive në Parlamentin Evropian, Komisionin Evropian dhe Bashkimin Evropian, komisionarët dhe personalitetet e shquara në BE, kanë vlerësuar të arriturat tona. Është vlerësuar secili kusht nga udhërrëfyesi, nga 95 sa i kishim ne, shumë më shumë se çdo shtet që ka liberalizimin, një për një i kemi realizuar. Premtimet e tyre kanë pasur të bëjnë me përmbushjen e detyrave tona e më pastaj fillon finalizimi. Po ashtu, kjo edhe ka ngjarë. Kemi edhe deklarata publike të këtyre zyrtarëve të cilët na kanë thënë se në momentin që plotësohet kriteri i fundit (demarkacioni me Malin e Zi) do të vijë liberalizimi. Këto deklarata janë të qasshme meqë janë publike.

“Epoka e re”: Qeveria vazhdon të jetë optimiste se liberalizimi i vizave do të ndodhë brenda këtij viti?
Hoxha: Vendimmarrja është në fillim të dhjetorit, procedurat për liberalizim, krahasuar me vendet që tashmë e kanë arritur, finalizimi i lëvizjes së lirë ka ngjarë brenda dy deri tri jave. Ne nuk kemi devijuar asnjëherë informimin e drejtë të gjendjes sonë, kemi reflektuar konform punës sonë, konform konsensusit tonë nacional për rrugën tonë, konform rekomandimeve dhe premtimeve të vendimmarrësve të BE-së. Pra, vendimmarrja është thelbësore, të bëhet në fillim të dhjetorit, të tjerat janë procedura të implementimit.

“Epoka e re”: Në rast se dështon liberalizimi i vizave, Kosova a do ta rishqyrtojë raportin e vet me Bashkimin Evropian si dhe vazhdimin e dialogut me Serbinë?
Hoxha: E thashë edhe më herët, se dështimi eventual i BE-së, që t’u përmbahet rregullave të veta e që janë rezultatet pas përmbushjes së kritereve, pra liberalizimi i vizave për qytetarët tanë pas përmbushjes së kritereve do të vinte në pikëpyetje të madhe besimin tonë karshi BE-së dhe institucioneve të saj. Si mund të jetë garantuese e marrëveshjes me Serbinë një BE që nuk e mban fjalën dhe nuk i përfill procedurat e veta?!

Shqipe HETEMI

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Boksieri shqiptar Altin Zogaj, krahas suksesit në sportin e boksit,…