
Hoxha: E pranoj humbjen me Letoninë nëse fitojmë në ‘Arena Kombëtare’ ndaj Serbisë
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Arbër Hoxha, ishte i pranishëm në konferencën për shtyp, ku foli për emocionet dhe rëndësinë e përballjes me Serbinë. Hoxha e cilësoi ndeshjen si një nga më vendimtaret në rrugëtimin e Shqipërisë drejt kualifikimit në Kupën e Botës.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë, e dimë që Serbia ka shumë cilësi, por ne po përgatitemi fort dhe jemi të përqendruar. Besojmë se mund ta fitojmë këtë ndeshje dhe të mbajmë gjallë shpresën për Botërorin. Kjo sfidë mund të vendosë shumë për fatin tonë në ‘play-off’”, u shpreh Hoxha.
I sinqertë dhe i vendosur, sulmuesi i kuqezinjve u shpreh se do të pranonte edhe një humbje me Letoninë, nëse kjo do të nënkuptonte fitore ndaj Serbisë.
“Do ta pranoja të fitonim me Serbinë dhe të humbnim me Letoninë. Kjo përballje është shumë e rëndësishme për ne dhe për gjithë shqiptarët”, ka deklaruar ai.
Hoxha u ndal edhe te konkurrenca brenda skuadrës, duke theksuar se ajo shërben si motivim për të dhënë më të mirën.
“Konkurrenca është pozitive. Jemi në Kombëtare dhe secili, sado minuta që të ketë, duhet të japë maksimumin. Të gjithë duam të kontribuojmë për suksesin e ekipit”, ka pohuar Hoxha. Në fund, Hoxha kujtoi emocionet e ndeshjeve të së kaluarës mes Shqipërisë dhe Serbisë, duke thënë se ato kanë lënë gjurmë të thella.
“Kam qenë i vogël kur ndodhën ato ndeshje, por kanë qenë shumë emocionale për të gjithë shqiptarët. Edhe sot Hysaj na rrëfen se çfarë përjetuan. Ne kemi detyrën të japim më të mirën për të gjithë ata që na mbështesin”, la përfunduar sulmuesi i Shqipërisë.