Hoxha: Kosova, prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë. Kush prek Kosovën, prek Shqipërinë
Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha është shprehur “thellësisht i emocionuar” gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Kosovë.
“Si diplomat i Republikës së Shqipërisë, Kosova ka qenë pjesë e pandarë e tryezës sime gjatë çdo dite në 36 vite të karrierës sime diplomatike. Në detyrën që mbaj sot, kjo përgjegjësi dhe ky përkushtim bëhen veçse më të dukshëm”, kanë qenë fjalët e tij të para pas takimit me homologun e tij nga Kosova, Glauk Konjufca.
Me tutje, Hoxha ka thënë se me Konjufcën patën bisedime “të hapura, të sinqerta e vëllazërore”.
“Ne në Tiranë, në Shqipëri, nuk do ta themi kurrë mjaftueshëm: Kosova është prioritet absolut i politikës sonë të jashtme. Është një dimension i qartë dhe i pandryshueshëm i shtetit shqiptar, i qeverisë shqiptare dhe shtetit shqiptar. Ajo që ndodh në Kosovë ka rëndësi të drejtpërdrejtë për Shqipërinë, në një lidhje të ndërsjellë, të pandarë, sepse përparimi i Republikës së Kosovës dhe ai i Shqipërisë ecin krah për krah. Çdo dhimbje e Kosovës ndjehet në Shqipëri, ashtu si çdo arritje e Kosovës festohet edhe në Shqipëri”.
“Ramë dakord që dinamikat gjeopolitike në rajon dhe në Evropë kërkojnë një intensifikim të mëtejshëm të koordinimit ndërqeveritar dhe diplomatik. U angazhuam për përgatitjet e takimeve të radhës, takime ministrore apo dhe më lart, siç do të jetë më e nevojshme, për aktivizimin më funksional të sekretariatit koordinues të mbledhjeve të përbashkëta që kemi bërë, në përcaktimin e qartë të fushave ku duhet të bëjmë më shumë, më shpejt apo të përshpejtojmë. Bashkëpunimi ynë duhet të përkthehet më shumë lehtësi dhe më pak burokraci, më shumë çdo vlerësim zbatimi dhe koordinimi në projekte konkrete të cilat kanë impakt për qytetarët”, ka thënë kryediplomati shqiptar.
Hoxha ka thënë se “Shqipëria nuk do të pranojë e as nuk do të tolerojë ndonjëherë cenimin e sigurisë së qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës”.
Duke përmendur sulmin në Banjskë dhe në kanalin e Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, kryediplomati shqiptar kaq thënë se “llogaridhënia duhet të jetë e qartë”, dhe ka cituar kryeministrin Edi Rama.
“Kam ardhur këtu për të transmetuar dhe për të theksuar qartë atë që ka thënë kryeministri Rama: ‘kush prek Kosovën, prek Shqipërinë’”, ka thënë Hoxha.



