Hoxha: Situata e sigurisë në veri e brishtë, brenda kufijve ka ende ‘mbeturina’ të strukturave ilegale serbe

31 dhjetor 2025 | 13:15

Situata e sigurisë në veriun e Kosovës është e brishtë. Kështu ka deklaruar drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Derisa kriminelët e sulmit në Banjska mbrohen nga pushteti në Serbi, ai ka thënë se ekziston rreziku që ata të sulmojnë në të ardhmen kufijtë e vendit.

Hoxha ka thënë se “nuk përjashtohen mundësia për sulme të tjera terroriste”, teksa shton se brenda kufijve ka ende grupe të cilat nga Kosova janë shpallur struktura ilegale.

“Aktualisht situata vazhdon të jetë e qetë, por në veriun e Kosovës është e brishtë. Për shkak që ne kemi një numër të madh të personave të cilët kanë qenë të përfshirë në rastin e Banjskës e të cilët janë ikur në Serbi edhe mbrohen nga pushteti aktual. Andaj derisa ata nuk dhënë llogari për veprat që i kanë bërë, gjithmonë është potencial rreziku që ata nesër pasnesër do të mund të sulmojnë vendin tonë, sulmojnë kufijtë tonë, sulmojnë policinë tonë apo institucionet tona që veprojnë në atë vend”.

“Situata vazhdon të jetë e qetë aktualisht, mirëpo ne duhet të jemi të kujdesshëm sepse mund të ketë edhe ndonjë problem në të ardhmen që mund të vijë përtej kufijve. Përbrenda kufijve akoma ka ndonjë individ, disa mbeturina, grupe që kanë mbetur të këtyre strukturave të cilat shteti i Kosovës i ka shpallur si struktura ilegale dhe po ashtu struktura terroriste, e që të cilët me shumicë janë larguar nga Kosova, po kanë akoma individë me të cilët kohë pas kohe i dirigjojnë për të kryer sulme apo për të kryer akte kundër interesave tona në veri të vendit”, ka thënë Hoxha në një intervistë për “Kosovapress”.

Derisa ka deklaruar se në veri situata është më e mirë se më herët, Hoxha po ashtu ka theksuar se janë në koordinim edhe me partnerë tjerë të sigurisë.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli i Juventusit, Kenan Yildiz, gjithnjë e më shumë po…