Hoxhaj: Fondi 1 miliard euro do ta rimëkëmbë sektorin privat

19 janar 2021 | 15:33

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Enver Hoxhaj ka vizituar sot disa biznese prodhuese vendore në komunën e Vushtrrisë, të cilave u ka premtuar se Qeveria e udhëhequr nga ai do të jetë partner i tyre.

Për të përballur efektet negative të pandemisë në sektorin privat, Hoxhaj ka theksuar se ekipi i Rimëkëmbjes ka dizajnuar Fondin 1 miliard eurosh, ku 500 milionë janë të dedikuara për biznesin dhe ndërmarrësin në Kosovës ndihmë direkte dhe pa kthim.

Këto mesazhe, Hoxhaj i shoqëruar nga nënkryetari Bedri Hamza, i ka dhënë gjatë vizitave në kompanitë “Vipa”, “Albed” dhe “Missini”.

“Ne jemi të vendosur që ta zhvillojmë sektorin privat se nuk ka sektor tjetër, i cili mund të krijojë vende të reja të punës, i cili mund ta rritë ekonominë e vendit, ne nuk mund ta rrisim territorin po mund ta rrisim ekonominë e vendit. Nuk ka sektor, i cili mund ta rritë mirëqenien e qytetarëve sikurse sektori privat dhe ky do të jetë prioritet kryesori i Qeverisë të cilën do ta udhëheq unë si kryeministër i Kosovës. Natyrisht që ne jemi partnerë të biznesit në Kosovë dhe do të ofrojmë mbështetje institucionale, do të ofrojmë mbështetje përmes politikave konkrete fiskale, lehtësira fiskale dhe do të jemi partnerë të tyre që këtë punë të madhe që këta po e bëjnë edhe t’u ndihmojmë që t’i eksportojmë produktet e tyre jashtë, po të jenë edhe një lloj imazhi i ri, një lloj brendi i ri i një Kosove të re, e cila po ndërtohet çdo ditë nga ndërmarrës të suksesshëm”, ka thënë Hoxhaj.

Sipas planit të PDK-së, në investimet mbi 100 mijë euro, që krijojnë mbi 5 vende të punës, Tatimin në të Ardhura të Korporatës do të jetë 8 për qind, derisa në investimet prej 500 mijë deri në 1 milion euro, që krijojnë mbi 8 vende të punës, Tatimin në të Ardhura të Korporatës do të jetë 7 për qind për 10 vite.

Ky plan parasheh që në investime prej 1 milion deri në 3 milionë euro, që krijojnë mbi 20 vende të punës, Tatimin në të Ardhura të Korporatës do ta jetë 5 për qind për 10 vite, si dhe në investime mbi 3 milionë euro, që krijojnë mbi 30 vende të punës, Tatimin në të Ardhura të Korporatës do të jetë zero për qind për 10 vite.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur të ndajë rreth…