Hoxhaj i reagon Rizvanollit: Pavarësia energjetike është edhe çështje gjeopolitike, jo vetëm ekonomike
Ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas deklaratave të ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila ka thënë se qeveria nuk e ka refuzuar gazin amerikan dhe se rezervat e qymyrit i garantojnë Kosovës energji më të lirë.
Në një postim në “Facebook”, Hoxhaj ka përmendur se, sipas tij, qeveria Kurti ka refuzuar në vazhdimësi projekte strategjike në sektorin e energjisë.
“Në vitin 2019, Qeveria Kurti anuloi projektin e Kosovës me ContourGlobal. Në vitin 2021, refuzoi projektin amerikan të gazit, të mbështetur nga ShBA-ja. Sot, po refuzon edhe një mundësi tjetër për t’u kyçur në korridoret e gazit amerikan, duke u rikthyer sërish te i njëjti argument – qymyri”, ka shkruar Hoxhaj.
Sipas tij, pavarësia energjetike nuk është vetëm çështje ekonomike, por edhe strategjike.
“Pavarësia energjetike është domosdoshmëri ekonomike për zhvillimin e vendit, por edhe domosdoshmëri gjeopolitike për ta mbajtur ShBA-në të angazhuar në Kosovë. Këtë e kanë kuptuar të gjitha vendet e Ballkanit dhe Evropës. Edhe Serbia po lidhet me korridoret e gazit të lëngshëm (LNG), ndërsa Kosova vazhdon të izolohet me vendime të gabuara politike”, ka shkruar ai.
Hoxhaj ka thënë se Kosovës i nevojitet një qasje tjetër në vendimmarrjen për energjinë.
“Kosovës nuk i duhen arsyetime pse nuk lidhet me gazin amerikan. Kosovës i duhet vizion dhe vendimmarrje strategjike për t’u bërë pjesë e tij”, ka shkruar Hoxhaj.



