Hoxhaj kritikon presidencën dhe qeverinë: Politika e jashtme është në rënie të lirë
Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kritikuar presidencën dhe qeverinë e Kosovës për shkak se sipas tij nuk kanë reaguar ndaj mbështetjes që G7-ta i ka dhënë shtetit tonë gjatë fundjavës.
Hoxhaj, i cili është nënkryetar i Kuvendit, në llogarinë e vet në “Facebook” ka publikuar deklaratën e përbashkët të G7-ës, vendeve më të fuqishme ekonomike të botës, në të cilën i jepet mbështetje Kosovës.
Hoxhaj ka thënë se që nga e shtuna, as presidenca e Kosovës dhe as qeveria nuk e thanë asnjë fjalë për këtë.
“Deklarata e tyre (G7) e së shtunës tregon se është shans për të arritur marrëveshjen e njohjes së ndërsjellë dhe anëtarësimin në OKB! Heshtja e Presidencës dhe Qeverisë tregon se kanë problem me orientimin në kohë dhe hapësirë dhe politika e tyre e jashtme është politikë e rënies së lirë!”, ka shkruar Hoxhaj.



