Hoxhaj: Me PDK-në, diasporës i rezervohen vende në Kuvend

27 dhjetor 2020 | 15:47

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së dhe kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, në një konferencë për medie të dielën, ka thënë se me qeverisjen e kësaj partie diaspora do të ketë vende të rezervuara në Kuvendin e Kosovës.

“Ne do ta bëjmë një kornizë të re ligjore që diaspora të ketë vende te rezervuara në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Më tutje, ai ka thënë se në listën zgjedhore të PDK-së, tre kandidatë për deputetë do të jenë nga diaspora.

“Në listën e PDK-së do të ketë tre kandidatë për deputetë që do të jenë nga diaspora. Këta do të jenë profile të ndara dhe do të jenë anëtarë të Kuvendit të Kosovës”, është shprehur Hoxhaj, duke shtuar se nëse do të bëhet kryeministër do ta rikthejë ministrinë e Diasporës.

“PDK-ja e ka themeluar Ministrinë e Diasporës. Hapi i parë pas kthimit tonë në qeveri është kthimi i Ministrisë së Diasporës dhe ministri do të jetë nga diaspora. Dua t’i sigurojë mërgimtarët që derisa Kosova të anëtarësohet në Byronë Ndërkombëtare pagesa e kartonit të gjelbër do të hiqet nga qeverisja e PDK-së”, ka thënë Hoxhaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj,…