Hoxhaj ngre alarmin: Pasaporta e Serbisë e pranuar nga BE është dëmi kolosal i Kurtit për Kosovën!
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për vendimin e Bashkimit Evropian që të njohë pasaportat e Serbisë të lëshuara për serbët që jetojnë në Kosovë, me vendbanim të shënuar në qytete si Graçanicë, Pejë, Prizren dhe Leposaviq.
Në një emision televiziv, Hoxhaj tha se këto pasaporta, ku shkruan “Republika e Serbisë” dhe që e trajtojnë Kosovën si pjesë të pandashme të Serbisë, po njihen sot nga Brukseli, gjë që sipas tij përbën një goditje të rëndë për sovranitetin e Kosovës.
“Meritë e kësaj qeverie është pikërisht pasaporta ku shkruan Graçanicë, Republika e Serbisë, dhe që e njeh Kosovën si pjesë të Serbisë. Kjo nuk po ndodh nga Kina apo Rusia, por nga vetë Brukseli,” deklaroi Hoxhaj.
Ai rikujtoi se në vitin 2010, gjatë procesit të liberalizimit të vizave për Serbinë, Kosova kishte zhvilluar një betejë të fortë diplomatike që pasaportat e Serbisë të përdorura nga serbët e Kosovës të përjashtoheshin nga ky proces.
“Sot kemi një kthim mbrapa. Bashkimi Evropian po e njeh pasaportën e Serbisë brenda territorit të Kosovës. Ky është dështimi më i madh,” theksoi Hoxhaj.
Sipas tij, kjo pasaportë përbën edhe bazën e një Asociacioni të ardhshëm, të paraparë në Draft-Statutin që, siç tha ai, është pranuar nga kryeministri Albin Kurti.
“Kjo pasaportë nesër do të jetë pasaportë e Asociacionit. Ky është drejtimi ku po shkohet,” përfundoi Hoxhaj.



