
Hoxhaj: Për mua dhe PDK-në, Berlini mbetet adresa më e rëndësishme politike në Evropë
Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka dhënë një intervistë për radion publike gjermane “Deutschlandfunk”, ku ka folur për zgjedhjet e 14 shkurtit dhe programin që ofron partia që drejton.
Hoxhaj në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se për të dhe PDK-në, Berlini mbetet adresa më e rëndësishme politike në Evropë.
“Për radion publike gjermane “Deutschlandfunk”, e cila është radio e preferuar e diasporës sonë në Gjermani, fola për prioritetet tona në këto zgjedhje, për planin ekonomik, për politikën e jashtme, marrëdhëniet me Berlinin, investimet gjermane në Kosovë dhe për tema tjera me interes. Këto zgjedhje janë test i orientimit tonë perëndimor, demokracisë sonë, tregut dhe medieve të lira. Për këtë, qytetarët dhe diaspora jonë duhet të votojnë për PDK-në, e cila është diga e vetme kundër autoritarizmit në Kosovë”.
“Këto zgjedhje janë të rëndësishme edhe për Berlinin se kënd do ta kenë partner në krye të Qeverisë së Kosovës. Askush më mirë se Berlini nuk e njeh rrezikun e populistëve dhe retorikës përçarëse. Për mua dhe PDK-në, Berlini mbetet adresa më e rëndësishme politike në Evropë”, ka shkruar Hoxhaj.