Hoxhaj përuron në Prishtinë librin “Përplasja e madhe”, të pranishëm Edi Rama dhe Ali Ahmeti

20 qershor 2022 | 22:12

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, aktualisht nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka përuruar sot në Prishtinë librin e tij më të ri “Përplasja e Madhe”.

Në këtë libër, Hoxhaj sjell analizën dhe pikëpamjet e tij të vlefshme mbi zhvillimet gjeopolitike dhe rreziqet që i kanosen Kosovës dhe vendeve të rajonit nga Rusia, veçanërisht pas agresionit të saj në Ukrainë.

Në përurimin e këtij libri mori pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, të cilët edhe folën për librin e Hoxhajt, shkruan “Epoka e re”.

Gjithashtu në përurim morën pjesë edhe përfaqësues politikë të nivelit qendror dhe lokal nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Autori i librit, Enver Hoxhaj, ka thënë se pjesa e parë e librit tregon që Perëndimi dhe Putini janë dy planete të ndryshme, në dy shekuj të ndryshëm edhe ideologjikisht dhe gjeopolitikisht.

“Ne duhet ta kemi një mendim të plotë se çka është dhe çka përfaqëson Rusia”, ka deklaruar Hoxhaj.

Në kreun e dytë të këtij libri, Hoxhaj tha se është ndalur në një analizë të luftës hibride në Ballkan, ndërsa kreu i fundit vjen si një lexim më i thellë i ngjarjeve në Ukrainë.

Gjatë përurimit të librit, ish-ministri Hoxhaj foli për emergjencën e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe OKB, por edhe integrimin e rajonit në Bashkimin Europian.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka theksuar se ky libër është i rëndësishëm sepse mëson shumëçka.

Ai thotë se me të lexuar këtë libër i është rikthyer kujtesa nga shumë takime që ka pasur me ambasadorët rusë në Shkup.

“Enveri na ofron një analizë, ku mua ma ka rikthyer kujtesën nga takimet që kam pasur me diplomatë të ndryshëm por në veçanti ma ka freskuar kujtesën që kam pasur me ambasadorët rus në Shkup, por edhe një takim që kam pasur me ambasadoren e Serbisë gjithashtu në Shkup. Është libër shumë interesantë për ta lexuar, por edhe mëson shumëçka”, ka thënë Ahmeti.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se ka nxjerr disa shënime për këtë libër dhe ka sugjeruar pjesëmarrësit që ta lexojnë këtë libër.

Para disa ditësh, Hoxhaj ka promovuar librin “Përplasja e Madhe” edhe në Tiranë, ku kanë marrë pjesë ish-presidentët e Shqipërisë dhe shumë politikanë të njohur, ministra, deputetë, profesorë e gazetarë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Evropian ka konfirmuar se të martën, më 21 qershor…