Hoxhaj publikon foto me Thaçin nga Malet e Sharrit, 6 vite më parë: Koha t’i rikthehet Kosovës
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, deputeti, Enver Hoxhaj, ka kujtuar sot një moment të para gjashtë viteve me ish-presidentin Hashim Thaçi, duke përcjellë mesazhin se vendi ka nevojë për rikthimin e kohës së vendimmarrjes dhe unitetit.
Përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, Hoxhaj ka publikuar një fotografi të realizuar në Malet e Sharrit, ku shfaqet së bashku me Thaçin, teksa rikujton një periudhë që, sipas tij, parapriu një kapitull të rëndë padrejtësie ndaj luftës së UÇK-së.
Ai ka theksuar se pret përfundimin e këtij procesi me rikthimin e tyre në Kosovë dhe pranë familjeve.
“Me Presidentin Thaçi në Malet e Sharrit, 6 vite më parë, duke shijuar natyrën e bukur të Kosovës dhe duke biseduar për procese që i sjellin popullit siguri dhe perspektivë. Nuk e kishim menduar se 2 muaj më pas do të niste një kapitull i rëndë padrejtësie ndaj luftës së shenjtë të UÇK-së. Këtij kapitulli po i vjen fundi dhe fundi duhet të jetë lirimi i tyre. Është koha t’i rikthehen Kosovës, t’i rikthehen familjeve të tyre dhe tokës së bekuar të Kosovës. T’i rikthehemi ecjeve në bjeshkët e vendit, si dikur”, ka shkruar Hoxhaj.



