Hoxhaj: Rikthimi i emërtimeve që lidhen me Titon në Tetovë rikthen simbolikën e regjimit që shtypi shqiptarët për dekada

29 qershor 2026 | 12:44

Ish-kryediplomati dhe deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka thënë se vendimi për t’ia vënë një sheshi në Tetovë emrin e Josip Broz Titos prek “kujtesën historike, identitetin dhe frymën” e Marrëveshjes së Ohrit.

“Vendimet për të rikthyer emërtimet e periudhës jugosllave në Tetovë prekin kujtesën historike, identitetin dhe frymën mbi të cilën u ndërtua bashkëjetesa pas Marrëveshjes së Ohrit”.

“Rikthimi i emërtimeve që lidhen me Josip Broz Titon përfaqëson rikthimin e simbolikës së një regjimi që shtypi shqiptarët për dekada. Po ashtu, ai rikthen në kujtesë edhe trashëgiminë e Ushtrisë Popullore Jugosllave (JNA), e cila kreu krime të rënda dhe mori pjesë në fushata gjenocidale kundër shqiptarëve në Kosovë, si dhe kundër boshnjakëve e kroatëve gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë”, ka shkruar Hoxhaj “Facebook”.

Hoxhaj ka theksuar se të drejtat e fituara të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk duhet të vihen në pikëpyetje përmes vendimeve që krijojnë pasiguri dhe nxisin ndarje.

“Ruajtja e barazisë, respektimi i gjuhës shqipe dhe i karakterit shumetnik të shtetit janë themeli i stabilitetit dhe i orientimit euroatlantik të vendit. Çdo hap që dobëson frymën dhe parimet e Marrëveshjes së Ohrit nuk i shërben as demokracisë, as paqes, e as perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut. Shqiptarët meritojnë siguri juridike, barazi të plotë dhe respekt për të drejtat e fituara, jo kthim prapa”, ka shkruar Hoxhaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë me dije se…