Gresa Caka – Nimani pranon detyrën e kryetares së Gjykatës Kushtetuese

25 qershor 2021 | 12:50

Gresa Caka-Nimani ka pranuar detyrën e kryetares Gjykatës Kushtetuese nga Arta Rama-Hajrizi.

Në fjalimin e saj, drejtuesja e deritanishme e kësaj gjykate, ka folur për sfidat dhe të arriturat e Gjykatës Kushtetuese gjatë dy mandateve në krye të këtij institucioni.

“Përmes vendimeve që kemi marrë jemi vlerësuar si një prej gjykatave më të mira në rajon dhe, si rrjedhojë, kemi arritur të forcojmë bashkëpunimin me gjykatat e tjera, partneritetin me Komisionin e Venecias, bashkëpunimin me Këshillin e Evropës dhe së fundi edhe me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, ka thënë ajo.

Në fund, ajo ka shprehur bindjen se nën udhëheqjen e kryetares Caka – Nimani, Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të shënojë suksese të reja në të ardhmen dhe do të konsolidojë edhe më tej praktikën e saj gjyqësore në harmoni me standardet evropiane të drejtësisë kushtetuese.

Pas pranimit ceremonial të detyrës, Caka-Nimani ka theksuar rëndësinë e pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese dhe rolit të saj përcaktues në ruajtjen e rendit e kushtetues dhe vlerave kushtetuese, balancimin dhe ndarjen e pushteteve, avancimin e sundimit të ligjit e rendit demokratik, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Gjithashtu, ajo ka vënë theksin edhe në nderin dhe përgjegjësinë e saj, që në bashkëpunim me të gjithë gjyqtarët e gjykatës dhe stafin mbështetës, të kontribuojë në konsolidimin dhe avancimin e mëtejmë të drejtësisë kushtetuese në Republikën e Kosovës.

Mandati i kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gresa Caka-Nimani, është tri vjet.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I është refuzuar kërkesa për lirim nga paraburgimi ish-ushtarit të…