
Virusi i Nilit përhapet në Itali, dhjetë të vdekur
Numri i të vdekurve nga virusi i Nilit Perëndimor në Itali ka arritur në 10, pasi një grua 93-vjeçare ndërroi jetë në Institutin Spallanzani në Romë. Ajo ishte rasti i katërt i konfirmuar në rajonin e Lazios.
Pacientja, e cila ishte nga Cisterna di Latina, fillimisht u shtrua në San Paolo në Velletri, përpara se të transferohej në Romë.
Vetëm një javë më parë u raportuan tre vdekje të tjera, përfshirë një 76-vjeçar nga Salerona, një 73-vjeçar nga Maddaloni dhe një 86-vjeçar në Latina.
Sipas Institutit Kombëtar Italian të Shëndetit, vetëm në një javë (24-30 korrik) janë raportuar 57 raste të reja, me 8 viktima.
Forma më e rrezikshme, ajo neuro-invazive, ka shkallë vdekshmërie 20% në vitin 2025, më shumë sesa vitin e kaluar.
Rreziku në rritje edhe jashtë Italisë
Të dhënat e fundit të Qendrës Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve tregojnë për përhapje të virusit në Itali, Greqi, Rumani, Bullgari dhe Francë.
Vetëm në provincën Latina në Itali janë raportuar 43 raste – numri më i lartë deri më tani.
Virusi transmetohet përmes pickimit të mushkonjave, nuk kalon nga personi në person dhe nuk ka vaksinë apo trajtim specifik.
Ekspertët apelojnë për masa parandaluese, si përdorimi i mbrojtësve kundër mushkonjave dhe shmangia e zonave të rrezikuara.