Të premten e ardhshme hapet ekspozita “Shtëpi” në GKK
Galeria Kombëtare e Kosovës QAFA ka njoftuar për hapjen e ekspozitës “Shtëpi” të premten, më 12 dhjetor, e cila sjell punë të reja nga laureatët e edicionit të parë të programit të rezidencës në partneritet me Cité internationale des arts: Kreshnik Arifi, Renea Begolli dhe Lumturie Krasniqi.
Duke punuar në mediume të ndryshme, artistët ndajnë një vëmendje të përbashkët ndaj fragmentimit, qoftë vizual, ekologjik apo zanor. Veprat e tyre ndjekin proceset e zhvillimit, duke u përqendruar në faza tranzicioni dhe forma të paqëndrueshme. Secila praktikë i afrohet një pragu me një këndvështrim të veçantë: në kompozimet e Kreshnik Arifit, gjuha e trashëguar shpërbëhet në tinguj të pastrukturuar; në fjalorin e materialeve të Renea Begollit, organikja rrëshqet në sintetike; ndërsa në veprën e Lumturie Krasniqit, format ekzistojnë mes pranisë dhe zhdukjes.
Lansuar në shtator 2025, “Shtëpi” është një program rezidencash për artistë të të gjitha disiplinave që jetojnë dhe punojnë në Kosovë. Me synim që të nxisë shkëmbimet në nivel ndërkombëtar, të zgjerojë rrjetet profesionale dhe artistike, si dhe të zhvillojë praktikat artistike përmes mbështetjes së dedikuar për kërkim, prodhim dhe dukshmëri. Artistët e prezantuar do të jenë pjesë e rezidencës tre-mujore në Paris (3 mars – 28 maj 2026) në Cité internationale des arts.
Hapja e ekspozitës bëhet nga ora 19:00 deri në 21:00.



