Çfarë thonë amendamentet që presidentja Osmani i procedoi në Kuvend?

06 mars 2026 | 08:09

Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të amendamentojë Kushtetutën në mënyrë që presidenti i vendit të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.

Amendamentet ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011.

Në aktgjykimin në rastet K.O. 29/12 dhe K.O. 48/12 të Gjykatës Kushtetuese listohen këto amendamente të propozuara për nenin 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Pika e parë e amendamentit parasheh zgjedhjen e drejtëpërdrejtë të presidentit nga qytetarët me të drejtë vote.

E dyta pikë parasheh që zgjedhjet presidenciale shpallen nga kryetari i Kuvendit.

“Jo më vonë se gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të rregullt të Presidentit të Republikës së Kosovës”- thuhet në këto amendamente të propozuara në vitin 2011 për shpalljen e zgjedhejve.

Sipas këtyre amendamenteve të propozuara, kandidat për president do të mund të ishte secili shtetas që i plotëson kushtet e përcaktuara me Kushtetutë.

Kandidati, sipas amendamenteve, mund të propozohej nga subjektet politike që kanë kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet e fundit; nga subjektet që mbajnë ulëse të garantuara në Kuvend dhe përmes peticionit të dorëzuar në KQZ me nënshkrimet e së paku 15 mijë votuesve të kualifikuar në Kosovë.

“Një subjekt politik parlamentar mund të kandidojë vetëm një kandidat. Procesi i kandidimit bëhet sipas afateve kohore dhe procedurave të percaktuara me ligj”- thuhet tutje në këtë amendament të propozuar.

Pika e fundit për amendamentimin e nenit 86 thoshte se nëse një kandidat për president merr mbi 50% të votave zgjidhet president i Republikës së Kosovës.

Kurse nëse asnjë kandidat nuk merr shumicën absolute parashihej mbajtja e rrethit të dytë mes dy kandidatëve me më së shumti vota në rrethin e parë.

Parashihej që rrethi i dytë i zgjedhjeve të mbahet jo më vonë se 30 ditë nga rrethi i parë dhe kandidati që merr shumicën e votave në rrethin e dytë zgjidhet president.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për herë të parë në 36 vjet, Irani është në…