
Pse revolucionet kanë shkuar në fund të pusit?
Hannah Arendt
Në vitet ’60, disa vjet pas botimit të librit të saj Mbi revolucionin, Hannah Arendt jetonte në një botë ngjarjesh revolucionare ndaj të cilave ishte jashtëzakonisht e ndjeshme. Ngjarjet e tilla, përfshirë dëbimin e Krushchevit në Bashkimin Sovjetik; ndërtimin e Murit të Berlinit që ndau Gjermaninë në dy shtete; krizën kubane të raketave; të ashtuquajturin “Revolucioni i Heshtur” në Kanada, nacionalist për nga karakteri; lëvizjet për të drejtat e njeriut brenda dhe jashtë vendit; protestat kundër luftës, disa prej të cilave vdekjeprurëse, këtu dhe në Evropë; puçet ushtarake në Korenë Jugore, Vietnam dhe Greqi; Këshillin e Dytë të Vatikanit thelbësisht revolucionar nën drejtimin e Papa Gjonit të Njëzetetretë; tmerrin e Revolucionit Kulturor në Kinë; revolucionin shkencor, më fort të njohur si “pushtimi i hapësirës”; dhe dekolonizimin e vazhdueshëm dhe betejat për pavarësi në ish-domenet perandorake.
Ky dorëshkrim, i pabotuar kurrë më parë, mban shënimin Leksion, daton në vitin 1966-’67. Ku dhe kur është mbajtur, ose nëse është mbajtur, nuk dihet sot e kësaj dite. Dorëshkrimi duket shumë i gjatë për një ligjëratë të vetme. Mund të jetë mbajtur në Universitetin e Chicagos, ku Arendt ligjëronte në kohën e Shkollës mbi Mendimin Shoqëror. Mund të jetë mbajtur në Fakultetin e Shkollës së Re për Hulumtime Shoqërore, së cilës Arendt ishte pajtuar t’i bashkohej më 1967, në radhë të parë për të qenë në Nju-Jork, afër burrit të saj Heinrich Bluecher, që nuk ishte mirë me shëndet. Ku-ja dhe kur-i i kësaj ligjërate nuk është konfirmuar ende, megjithëse janë bërë hulumtime të shumta për këtë punë. Eseja është botuar në numrin e fundit të revistës The New England Review.
Leksion
Druaj se tema ime sot është poshtërueshëm aktuale. Revolucionet janë shndërruar kaherë në ngjarje të përditshme, me likuiditetin e imperializmit, shumë popuj janë ngritur “për të marrë nga fuqitë e botës vendin e ndarë dhe të barabartë të cilin natyra dhe Zoti ua ka dhënë”. Bash si rezultati më jetëgjatë i ekspansionit imperialist që ishte eksportim i idesë së shtetit-komb në të katër cepat e botës, edhe fundi i imperializmit nën presionin e nacionalizmit ka shpënë drejt përhapjes së idesë së revolucionit anembanë globit.
Krejt këto revolucione, pavarësisht sa të dhunshme mund të jenë për nga retorika e tyre anti-perëndimore, qëndrojnë nën shenjën e revolucioneve perëndimore tradicionale. Gjendja e tanishme e rrjedhave botërore ishte prirë prej një morie revolucionesh pas Luftës së Parë Botërore në vetë Evropën. Prej atëherë, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, asgjë s’duket më e sigurt se ndryshimi revolucionar i formës së qeverisë, me theks të veçantë ndryshimi i administratës, do të pasojë disfatën në luftë ndërmjet fuqive të mbetura – që, thënë troç, është një asgjësim i krejtësishëm. Por është me rëndësi të theksohet se edhe para se zhvillimet teknologjike t’i shndërronin luftërat ndërmjet fuqive në luftë jetë a vdekje, rrjedhimisht edhe vetëshkatërruese folur në aspektin politik, luftërat janë shndërruar në çështje për jetë a vdekje. Ky afërmendsh se nuk ishte qëllimi, por tregon se protagonistët e luftërave kombetare nisën të vepronin sikur të ishin përfshirë në luftëra civile. Dhe luftërat e vogla të njëzetë vjetëve të fundit – në Kore, Algjeri, Vietnam – kanë qenë qartazi luftëra civile, ku janë përfshirë fuqitë e mëdha ose për shkak se revolucioni kërcënonte sundimin e tyre, ose pse kishin krijuar boshllëk të rrezikshëm pushteti. Në këso rrethanash më s’ishte lufta ajo që përshpejtonte revolucionin; nisma ndryshoi krejtësisht rrjedhën nga lufta te revolucioni që në disa raste, megjithëse jo në të gjitha, pasohej nga ndërhyrja ushtarake. U bë sikur u kthyem papritmas në shekullin e tetëmbëdhjetë, kur Revolucioni Amerikan u pasua prej një lufte kundër Anglisë dhe Revolucioni Francez prej një lufte kundër fuqive mbretërore aleate të Evropës.
Dhe përsëri, pavarësisht prej rrethanave krejtësisht të ndryshme, ndërhyrjet ushtarake – teknologjike dhe të tjera – dukej se nuk bënin punë kundrejt fenomenit. Një numër i madh revolucionesh gjatë dyqind vjetëve të fundit kaluan në heshtje, por pak sosh prej tyre u përhapën prej epërsisë së zbatimit të mjeteve të dhunës. Përkundrazi, ndërhyrjet ushtarake, edhe atëherë kur ishin të suksesshme, shpesh kanë dalë të ishin jashtëzakonisht joefikase në restaurimin e stabilitetit dhe mbushjes së boshllëkut të pushtetit. Madje edhe fitorja duket se s’mund ta zëvendësojë kaosin me stabilitet, korrupsionin me ndershmëri, rënien dhe dezintegrimin me autoritet dhe besim në qeveri.
Restaurimi, pasoja e një revolucioni të ndërprerë, zakonisht nuk ofron asgjë më shumë se një maskim të përkohshëm, qartësisht të pathemeltë, nën të cilin vazhdojnë pa u kontrolluar proceset e dezintegrimit. Por, ka stabilitet të ardhshëm të madh potencial të rrënjosur vetëdijshëm në trupat e porsaformuar politikë, prej të cilave Republika Amerikane është modeli kryesor; problemi kryesor afërmendsh se janë revolucionet e suksesshme të rralla. Megjithatë, në konfiguracionin e tanishëm të botës, ku, për më mirë a më keq, revolucionet janë shndërruar në ngjarjet më të rëndësishme dhe më të shpeshtuara – dhe kjo, mbase, do të vazhdojë për dekada me radhë – dhe jo vetëm që nuk do të ishte e udhës, por as edhe e rëndësishme të pretendonim se ne jemi fuqia më e guximshme në sipërfaqe të dheut. Duhet të themi se kemi gëzuar stabilitet të jashtëzakonshëm prej themelimit të republikës sonë dhe se ky stabilitet ishte rezultat i revolucionit. Meqë më nuk mund të vendoset me luftë, kontestimi i fuqive të mëdha mund të vendoset në planin afatgjatë prej palës që kupton më mirë se çka janë dhe cila është bërthama e revolucioneve.
Vinjeta: Një numër i madh revolucionesh gjatë dyqind vjetëve të fundit kanë shkuar në fund të pusit
Unë besoj se nuk përbën sekret për askënd, së paku jo prej incidentit të Gjirit të Derrave, se politika e jashtme e këtij shteti zor se e ka dëshmuar veten eksperte, ose edhe njohëse e madhe e vlerësimit të situatave revolucionare a të momentumit të lëvizjeve revolucionare. Megjithëse incidenti i Gjirit të Derrave shpesh thuhet se erdhi sherri i informacioneve të gabuara dhe funksionimit të dobët të shërbimeve sekrete, dështimi është më i madh se kaq. Dështimi ishte mosnjohja e asaj çfarë do të thotë kur një popull i zhytur në mjerim në një vend të prapambetur, ku korrupsioni ka mbërritur pikën e kalbjes, shkarkohet papritmas jo nga mjerimi, por nga paqartësia e madhe dhe pakuptueshmëria e mjerimit të vet; çfarë do të thotë kur populli dëgjon për herë të parë se gjendja e tij diskutohet hapur dhe sheh veten i ftuar të marrë pjesë në atë diskutim; dhe çfarë nënkupton kur ata sillen në kryeqytetin e tyre, të cilin kurrë nuk e kanë vizituar më parë, dhe t’u thuhet: këto rrugë dhe këto ndërtesa e sheshe, krejt këto janë tuajat, prona tuajat, rrjedhimisht krenaria juaj. Kjo, ose diçka e ngjashme, ndodhi për herë të parë gjatë Revolucionit Francez.
Interesant është fakti se ishte një plakë në Prusinë Lindore që kurrë nuk kishte dalë prej qytetit të lindjes, Königsberg. Immanuel Kanti, filozof dhe i dashuruar në lirinë, për të cilin zor se mund të thuhet se kishte mendime rebeluese, më në fund e kishte kuptuar. Ai thoshte se “fenomeni i tillë në historinë njerëzore asnjëherë nuk do të harrohet” dhe se në të vërtetë, nuk është harruar por, përkundrazi, ka luajtur rol të madh në historinë botërore prej atëherë. Dhe megjithëse shumë revolucione kanë përfunduar në Iran, është kujtuar gjithnjë se, sipas fjalëve të Condorcetit, “fjala revolucion mund të përdoret vetëm për revolucionet, qëllimi i të cilëve është liria”.
Revolucioni, si çdo shprehje tjetër e fjalorit tonë politik, mund të përdoret në kuptimin e përgjithshëm a ta marrë në konsideratë prejardhjen e fjalës ose çastin kalimtar kur shprehja ishte përdorur për një fenomen politik të caktuar. Supozimi i përdorimit të tillë është se s’ka rëndësi se kur dhe pse u përdor vetë shprehja, fenomeni të cilit i referohet është bashkëkohor me mbamendjen njerëzore. Tundimi për ta përdorur fjalën përgjithësisht është sidomos e fuqishme kur flasim për “luftërat dhe revolucionet” bashkërisht, për luftërat që në të vërtetë janë të vjetra sa edhe historia e shënuar e njerëzimit. Mund të jetë e vështirë të përdoret fjala “luftë” në kuptim tjetër pos atij të përgjithshëm, sepse lufta e parë nuk mund të përcaktohet në kohë ose të lokalizohet në hapësirë, por asnjë justifikim i tillë nuk ekziston për përdorimin jodiskriminues të shprehjes revolucion.
Para dy revolucioneve të mëdha në fund të shekullit tetëmbëdhjetë dhe sensit specifik që kërkohej atëherë, fjala “revolucion” s’ishte fort e përdorshme në fjalorin e mendimit ose të praktikës politike. Kur shprehja hyri në shekullin e shtatëmbëdhjetë, ta zëmë, u lidh ngushtë me kuptimin e vet astronomik të prejardhjes, që shquante lëvizjen e përjetshme, të parezistueshme të trupave qiellore; përdorimi i saj politik ishte metaforik, me përshkrim të një lëvizjeje prapa në pikën e paranisjes dhe, rrjedhimisht, një lëvizje, një prapakthim të rendit paraprak. Fjala ishte përdorur fillimisht jo atëherë kur ne ia dhamë kuptimin e veprimit revolucionit që shpërtheu në Angli dhe Cromwelli u ngre si njëfarë diktatori më 1660, me rastin e rivendosjes së monarkisë, pas rrëzimit të Parlamentit Rump, por edhe Revolucioni i Lavdishëm, ngjarja nëpërmjet së cilës krejt paradoksalisht, shprehja zuri vendin e vet në gjuhën politike-historike, s’ishte menduar si revolucion, por si restaurim i pushtetit monarkik të kohës së lavdisë dhe drejtësisë së dikurshme. Kuptimi aktual i revolucionit, para ngjarjeve të fundshekullit tetëmbëdhjetë, mbase tregohet më së miri në gdhendjen e Vulës së Madhe të Anglisë të vitit 1651, sipas së cilës, transformimi i parë i monarkisë në republikë kishte kuptimin: “Liria u restaurua me bekimin e Zotit”.
Fakti se fjala “revolucion” fillimisht kishte kuptimin e restaurimit është më shumë se semantike. Madje edhe revolucionet e shekullit të tetëmbëdhjetë nuk mund të kuptohen pa e kuptuar se revolucionet e para shpërthyen kur restaurimi ishte qëllimi i tyre dhe se përmbajtja e restaurimit të tillë ishte liria. Për shembull, në Amerikë, sipas fjalëve të John Adamsit, burrat e revolucionit “ishin thirrur pa pritur dhe u imponuan pa tendencën e mëparshme”; e njëjta mund të thuhet për Francën që, sipas fjalëve të Tocquevillet, “dikush mund të ketë besuar se qëllimi i revolucionit të ardhshëm ishte restaurimi i ancien régime se rrëzimi i tij”. Dhe në rrjedhën e dy revolucioneve, kur pjesëmarrësit e kuptuan se ishin bërë pjesë e një ndërmarrje krejtësisht të re dhe se nuk po kthenin diçka pararendëse, kur fjalës “revolucion” i ishte dhënë rrjedhimisht kuptimi i ri, ishte Thomas Paine, prej të gjithë njerëzve, ai i cili, ende besnik ndaj frymës së kaluar, propozoi përnjëmend që revolucionet amerikane dhe franceze të quheshin “kundërrevolucione”. Ai donte t’i shpëtonte ngjarjet e jashtëzakonshme nga dyshimi se diçka krejtësisht e re ishte jetësuar dhe prej shkallës së dhunës me të cilën ishin lidhur pashmangshëm këto zhvillime.
Ne me siguri se do të zhbirojmë pothuajse instinktivisht manifestin e tmerrshëm në mendësinë e këtyre revolucionarëve të parë para të rinjve. Kjo ndodh edhe për shkak se jemi të lidhur aq ngushtë me zellin e dijetarëve dhe të filozofëve të epokës moderne “për gjërat që kurrë nuk janë parë dhe mendimet që kurrë nuk janë menduar më parë”. Dhe kjo ndodh edhe për shkak se asgjë në rrjedhën e këtyre revolucioneve nuk është goditëse se theksimi ngulmues ndaj të resë, të përsëritur herë pas here prej aktorëve dhe spektatorëve në këmbënguljen e tyre se asgjë e krahasueshme për nga rëndësia dhe përmasat nuk ka ndodhur më parë. Pika qenësore dhe kritike është se patosi i madh i epokës së re, Novus Ordo Seclorum, që ende shkruhet në bankënotat e dollarit tonë, zuri vend vetëm pasi aktorët, shumica kundër vullnetit të tyre, kishin mbërritur pikën ku s’kishte kthesë.
VINJETA: Fakti se fjala ‘revolucion’ fillimisht kishte kuptimin e restaurimit, nuk është asgjë më shumë se diçka thjesht e çuditshme në aspektin semantik
Rrjedhimisht, çfarë kishte ndodhur në shekullin e tetëmbëdhjetë, ishte se në përpjekjen për restaurim dhe rimëkëmbje të të drejtave dhe privilegjeve të dikurshme, rezultoi krejtësisht me të kundërtën, një zhvillim dhe hapje përparimtare drejt së ardhmes që përcaktoi të gjitha përpjekjet e të vepruarit dhe të menduarit sipas një rrethi ose mundësie ndryshuese. Dhe përderisa shprehja “revolucio” ishte transformuar në një proces revolucionar, diçka e ngjashme, por pafundësisht më e ndërlikuar, ndodhi me fjalën “liri”. Përderisa nuk nënkuptonte asgjë më shumë se liri – “rikthim me bekimin e Zotit” – mbeti çështje e të drejtave dhe lirive që ne i lidhim me qeverinë kushtetuese, që me të drejtë quhen liri civile. Çfarë nuk ishte përfshirë në to ishte e drejta politike për të marrë pjesë në çështje publike. Asnjë prej atyre të drejtave, përfshirë të drejtën që të përfaqësohesh për qëllime taksash, nuk ishin as në teori e as në praktikë rezultat i revolucionit. Jo “jeta, liria dhe prona”, por pretendimi se ato ishin të drejta të pahuajësuara të të gjitha krijesave, pavarësisht se ku jetonin ose çfarë qeverie kishin, ishte revolucionar. Edhe në këtë zgjerim të ri dhe revolucionar për krejt njerëzimin, liria nuk nënkuptonte më shumë se liri nga frenimi i pajustifikueshëm që është diçka negative.
Liritë në kuptimin e të drejtave civile janë rezultat i çlirimit, por në asnjë formë s’janë përmbajtja aktuale e lirisë, esenca e së cilës është mundësia e përfshirjes në sferën publike dhe pjesëmarrja në çështje publike. Në qoftë se revolucionet do të synonin vetëm garantimin e të drejtave civile, çlirimin nga regjimet që kishte tejkaluar kompetencat e tyre, atëherë këto të drejta të mirëqena do të ishin të mjaftueshme. Dhe është e vërtetë se revolucionet e shekullit tetëmbëdhjetë nisën duke i pretenduar ato të drejta të dikurshme. Kompleksiteti shfaqet kur revolucionet merren me çlirimin dhe lirinë, dhe meqë çlirimi është në të vërtetë kusht për liri – edhe pse liria s’është asgjë tjetër pos rezultat i çlirimit – është e vështirë të shohësh dhe të thuash se ku mbaron dëshira për liri, për të qenë i lirë nga represioni, dhe se ku nis dëshira për ta jetuar jetën politike. Halli është se çlirimi nga shtypja do të mund përmbushej fort mirë prej nënqeverisë monarkike, megjithëse jotiranike, ndërkaq liria për shteg politik të jetës kërkonte një formë të re, megjithëse të rishpikur, të qeverisë. Kërkonte krijimin e një republike. Asgjë, në të vërtetë, nuk është më e qartë nga faktet se pretendimi i Jeffersonit “se kontestet e asaj dite ishin konteste të parimit ndërmjet qeverisë republikane dhe asaj mbretërore”. Barazimi i qeverisë republikane me lirinë, më tutje bindja se monarkia është qeveri kriminale e përshtatshme për skllevër – megjithëse ishte bërë thuajse e zakonshme me nisjen e revolucioneve – nuk zinte më vend në mendjet e vet revolucionarëve. Megjithatë, edhe pse kjo ishte liri e re që ata e kërkonin, do të ishte e vështirë të mbaheshin e të mos kishin nocion tjetër në raport me të. Përkundrazi, ishte pasioni për këtë liri të re politike, megjithëse ende të pabarasvlefshme me formën republikane të qeverisë, ai që i frymëzoi dhe i përgatiti t’i jepnin shtytje revolucionit pa e ditur plotësisht se çfarë po bënin.
Asnjë revolucion, pavarësisht se sa i hap portat e veta për masat dhe të lënët pas dore – les malheureux, les misérables, les damnés de la terre, siç e dimë prej retorikës së madhe të Revolucionit Francez, s’është nisur prej tyre. Së këndejmi, asnjë revolucion nuk ishte rezultat i konspiracioneve, shoqërive sekrete, ose partive revolucionare. Marrë në përgjithësi, asnjë revolucion nuk është as i mundshëm aty ku autoriteti i trupës politike është i pacenuar që, sipas kushteve moderne, nënkupton vendin ku forcat e armatosura mund të jenë të besueshme për t’i bindur autoritetet civile. Revolucionet nuk janë përgjigje të domosdoshme, por të mundshme ndaj degjenerimit të një regjimi; jo shkaku, por pasoja e rënies së madhe të autoritetit politik. Kurdo që këto procese janë lejuar të zhvillohen pa i kontrolluar, zakonisht brenda një periudhe të vonuar, revolucionet mund të ndodhin me kushtin që të ekzistojë një numër i mjaftueshëm njerëzish të përgatitur për rënie regjimi dhe që është i gatshëm ta marrë pushtetin. Revolucionet gjithnjë duket se ia dalin mbanë me lehtësi mahnitëse në fazat e tyre fillestare, dhe arsyeja është se ata që supozohet se “bëjnë” revolucionet, “nuk marrin” pushtetin, por më parë e kapin kur të dalë në rrugë.
Nëse burrat e revolucioneve amerikane dhe franceze kishin diçka të përbashkët para rrjedhave që do ta përcaktojnë jetën e tyre, formën e bindjeve të tyre, dhe eventualisht të merrnin udhë të ndara, ishte dëshira e zjarrtë për të marrë pjesë në çështje publike, dhe po aq neveri ndaj hipokrizisë dhe budallallëkut të “shoqërisë së mirë” – së cilës duhet shtuar frymë të zëshme dhe pak a shumë të zëshme punëve të pavlefshme të çështjeve private. Në kuptimin e formimit të kësaj mendësie krejt të veçantë, John Adamsi kishte plotësisht të drejtë kur thoshte se “revolucioni ishte efektiv para se të shpërthente lufta” jo për shkak të frymës rebeluese ose specifikisht revolucionare, por për shkak se banorët e kolonive “ishin formuar prej ligjit në korporata, ose trupave politike” me “të drejtën për t’u mbledhur… në sallat e tyre, ku do të diskutonin çështjet publike” dhe, në të vërtetë, në “këto asamble qytetesh a distriktesh, u formësuan, para së gjithash, bindjet e njerëzve”.
Sigurisht, nuk ekzistonte asgjë e krahasueshme me institucionet politike në kolonitë që ekzistonin në Francë, por mendësia, megjithatë, ishte e njëjtë, çka Tocqueville e quajti “pasion” ose “shije” në Francë, në Amerikë ishte manifest përvoje nga kohët e hershme të kolonizimit, madje qysh prej kohës kur Mayflower Compact ishte bërë shkollë e vërtetë e frymës publike dhe lirisë publike. Para revolucioneve, këta burra në të dyja anët e Atlantikut quheshin hommes de letrres dhe është karakteristikë e tyre se e kaluan kohën e tyre të lirë “duke shpalosur arkivat e antikitetit”, se iu kthyen historisë romake, jo pse ata ishin të mahnitur nga e kaluara, por për shkak të qëllimit të rimëkëmbjes të leksioneve shpirtërore si dhe politike institucionale që ishin boshatisur prej kohës së romakëve, që ishte harruar ose lënë pas dore për shekuj me radhë si traditë katolike. “Bota është boshe prej kohës së romakëve, dhe boshllëku mbushet vetëm me kujtimin e tyre, që tani është profecia jonë e vetme e lirisë”, pretendonte Saint Justi, sikurse para tij Thomas Paine do të parashikonte se “çka Athina ishte në miniaturë, Amerika do të jetë në madhësi”.
Që të kuptohet roli i antikitetit në historinë e revolucioneve, duhet ta kujtojmë entuziazmin për “maturi antike” me të cilën Harringtoni dhe Miltoni përqafuan diktaturën e Cromweelit dhe se si ky entuziazëm ishte ringjallur në shekullin tetëmbëdhjetë prej Considerations on the Causes of the Grandeur and the Decadence of the Romans të Montesqueut. Pa shembullin klasik të asaj çfarë mund të jetë politike dhe se pjesëmarrja në çështjet publike do të mund të ishte lumturi për burrin, asnjë prej burrave të revolucioneve nuk do ta kishte guximin për atë çfarë do të dukej si veprim i pashembullt. Historikisht, dukej se ringjalljes së antikitetit të Renesancës i ishte dhënë papritmas terren i ri jete, sikur zjarrit republikan jetëshkurtër të qytet-shteteve italiane, të paradënuara nga shteti-komb, të ishin përgjumur, që t’u jepet kombeve të Evropës koha për t’u rritur nën tutelën e princave absolutë dhe despotëve të përndritur.
VINJETA: Revolucionet duket se gjithnjë ia dalin mbanë me lehtësi mahnitëse në fazat e tyre fillestare, dhe arsyeja është se ata që supozohet se “bëjnë” revolucionet, “nuk marrin” pushtetin, por më parë e kapin teksa ndodhet në rrugë
Elementet e para të një filozofie politike korresponduese me këtë nocion të lirisë publike janë shtruar në shkrimet e John Adamsit. Pika e tij kryesore është vrojtimi se “kudo që ndodhen burrat, gratë, ose fëmijët, pavarësisht a janë pleq a të rinj, të kamur ose të varfër, të shtresës së lartë ose të ulët, injorantë ose të mësuar, çdo individ mendohet fuqishëm se ndodhet prej dëshirës që shikohet, të dëgjohet, të flitet, të aprovohet ose të respektohet prej njerëzve përreth”. E mira e kësaj “dëshire” Adamsi në “dëshirën për të shkëlqyer kundrejt tjetrit” dhe e keqja e saj, që ai e quante “ambicie”, e “synon pushtetin si mjet për shquarje”. Dhe, në fakt, këto të dyja përbëjnë të mirat dhe të ligat kryesore të qenies politike. Vullneti për të pasur pushtet të tillë, pavarësisht ndonjë pasioni për shquarje (ku pushteti s’është mjet, por qëllim), është karakteristikë e tiranit dhe më nuk është as cen politik. Më fort është cilësia që priret ta shkatërrojë krejt jetën politike, cenet e saj më shumë se të mirat e saj. Dhe ndodh pikërisht për shkak se tirani nuk dëshiron të shquhet dhe i mungon pasioni për t’u dalluar që i duket si kënaqësi për të dominuar, rrjedhimisht duke përjashtuar veten nga shoqërimi i të tjerëve; krejt ndryshe është dëshira për t’u shquar prej të tjerëve ajo që i bënë njerëzit të duan shoqërinë e njerëzve dhe i shpie në jetën publike. Kjo liri publike është e prekshme me realitetin e përbotshëm, të krijuar prej njerëzve për t’u kënaqur bashkërisht në publik – të shihen, të dëgjohen, të njihen dhe të kujtohen prej të tjerëve. Kjo lloj lirie kërkon cilësi dhe është e mundshme vetëm në mesin e shokëve. Folur në aspektin institucional, është e mundshme vetëm në një republikë që nuk njeh asnjë subjekt apo, thënë troç, asnjë sundues. Kjo është arsyeja pse diskutimet e formave të qeverisë, për dallim të madh me ideologjitë e mëvonshme, patën rol të madh në të menduarit dhe të shkruarit për revolucionet e para.
Nuk ka asnjë fije dyshimi, është e dukshme me pasoja të mëdha, se ky opsion për liri për hir të saj zgjoi dhe u mbajt gjallë prej burrave që kishin kohë të lirë, prej hommes de lettres, të cilët nuk kishin të zotë dhe nuk ishin gjithnjë të zënë që mbetnin disi gjallë. Me fjalë të tjera, ata gëzonin privilegjet e qytetarëve të Athinës dhe Romës pa marrë pjesë në ato punët e shtetit që i shqetësonin aq shumë njerëzit e lirë të antikitetit. Nuk është e domosdoshme të shtohet se aty ku burrat jetojnë në kushte vërtet të mjerueshme në koloni nuk njihet ky pasion lirie. Dhe nëse na duhet provë shtesë e mungesës së kushteve të tilla në koloni, “barazia e këndshme” në Amerikë ku, siç ka thënë Jeffersoni, “individi dukshëm më fatkeq” ishte më mirë se nëntëmbëdhjetë prej 20 milionë banorëve të Francës, na duhet ta kujtojmë se John Adamsi ua atribuoi këtë dashuri “të varfërve dhe të kamurve, shtresës së lartë e të ulët, injorantëve dhe të mësuarve”. Është arsyeja kryesore, mbase e vetmja, pse parimet që frymëzuan burrat e revolucioneve të para dolën fituese në Amerikë dhe dështuan tragjikisht në Francë. Shikuar prej prizmit amerikan, një qeveri republikane në Francë ishte “e panatyrshme, irracionale dhe jopraktike, sikur nuk mund të ishte mbi kokat e elefantëve, tigrave, panterave, ujqve dhe arinjve në kopshtin zoologjik mbretëror në Versajë” (John Adams). Arsyeja pse ishte bërë kjo përpjekje është se ata që u orvatën, less hommes de letres, s’ndryshonin shumë prej kolegëve të tyre amerikane; vetëm gjatë rrjedhës së Revolucionit Francez e mësuan se po vepronin nën rrethana radikalisht të ndryshme.
Rrethanat ndryshonin në aspektet politike dhe sociale. Edhe sundimi i Mbretit dhe Parlamenti në Angli ishte “qeveri e butë” në krahasim me absolutizmin francez. Nën këto rrethana, Anglia zhvilloi një regjim të ndërlikuar dhe funksional të vetëqeverisjes, që i duhej vetëm themeli shprehimor i republikës për ta konfirmuar ekzistencën e tij. Megjithatë, këto ndryshime politike, edhe pse mjaft të rëndësishme, ishin të papërfillshme krahasuar me pengesën e jashtëzakonshme për krijimin e lirisë së trashëguar në kushtet shoqërore të Evropës. Burrat e revolucioneve të para, megjithëse e dinin se çlirimi duhet t’i prijë lirisë, ende s’ishin të vetëdijshëm për faktin se çlirimi i tillë nënkuptonte më shumë se çlirim politik nga pushteti absolut dhe despotik; se të jesh i lirë për liri nënkuptonte, para së gjithash, të jesh i lirë jo vetëm nga frika, por edhe të jesh i lirë të shtrosh kërkesa. Dhe gjendja e mjerimit dëshpërues të masave të njerëzve, atyre që për herë të parë po dilnin vërshueshëm nëpër rrugët e Parisit, nuk mund të tejkalohej me mjete politike; fuqia e frenimit nën të cilën punonin nuk ishte shembur para shpërthimit të revolucionit, sikurse edhe pushteti i mbretit.
Revolucioni amerikan ishte me fat që nuk duhej të përballej me këtë pengesë lirie dhe, në fakt, një pjesë të suksesit ia ka borxh mungesës së mjerimit dëshpërues në mesin e njerëzve të lirë dhe padukshmërisë së skllevërve, në kolonitë e Botës së Re. Sigurisht, kishte varfëri dhe mjerim në Amerikë, që ishin të krahasueshme me kushtet e “të varfërve në punë” në Evropë. Nëse, thënë me fjalët e William Pennit, “Amerika ishte vendi i njeriut të mirë të varfër” dhe mbeti ëndrra e tokës së premtuar për të varfrit e Evropës deri në fillim të shekullit të njëzetë, nuk është më pak e vërtetë se kjo mirësi varej prej një shkalle të konsiderueshme nga mjerimi i zezakëve. Në mes të shekullit tetëmbëdhjetë aty jetonin pothuajse 400 mijë zezakë bashkë me rreth 1 milion e 850 mijë të bardhë në Amerikë dhe, pavarësisht prej mungesës së informacioneve të besueshme statistikore, mund të vihej në dyshim se përqindja e varfërisë së madhe ishte më e lartë në vendet e Botës së Vjetër (megjithëse do të ngrihej konsiderueshëm gjatë shekullit nëntëmbëdhjetë). Ndryshimi atëherë ishte se Revolucioni Amerikan – për shkak të institucionit të skllavërisë dhe bindjes se skllevërit i përkisnin një “race” të ndryshme – nuk e vuri re mjerimin, dhe bashkë me të detyrën e mrekullueshme për t’i çliruar ata që ishin frenuar aq shumë prej shtypjes politike si domosdoshmëri e dukshme e jetës.
Les malheureux, të lënët pas dore, të cilët kanë rol të jashtëzakonshëm në rrjedhën e Revolucionit Francez, që i identifikoi ata me le peuple, ose nuk ekzistonin, ose kishin mbetur në harresë të plotë në Amerikë.
VINJETA: Pa dyshim, është e qartë dhe rrjedhojë e mrekullueshme, se pasioni për liri për hir të vet lirisë u zgjua dhe u ushqye prej burrave qejfli, të cilët nuk kishin të zotë dhe nuk ishin gjithnjë të zënë që ta siguronin bukën e gojës
Një prej pasojave kryesore të revolucionit në Francë ishte, për herë të parë në histori, nxjerrja e le peuple në rrugë që i bëri ata të dukshëm. Kur ndodhi kjo u mor vesh se nuk ishte vetëm liria, por liria për të qenë të lirë gjithnjë kishte qenë privilegj i një grusht njerëzish. Megjithatë, me të njëjtin çelës, edhe Revolucioni nuk ka lënë ndonjë pasojë të rëndësishme për njohjen historike të revolucioneve, derisa Revolucioni Francez, i cili mbaroi me dështim të madh, ka përcaktuar dhe ende përcakton atë çfarë ne e quajmë traditë revolucionare.
Atëherë, çfarë ndodhi në Paris më 1789?
Së pari, liria nga frika është privilegj që pak njerëz e kanë gëzuar vetëm në periudha të shkurtra historie, por liria nga e dëshirueshmja ka qenë privilegj që kishte shquar vetëm një përqindje të vogël të njerëzimit për shekuj me radhë. Atë çfarë priremi ta quajmë historia e shkruar e njerëzimit është, në pjesën më të madhe, histori e atyre pak të privilegjuarve. Vetëm ata që e dinë lirinë nga WANT mund ta çmojnë plotësisht kuptimin e lirisë nga frika dhe vetëm ata që janë të lirë prej të dyjave, lirisë nga WANT dhe frika, janë në gjendje ta kuptojnë pasionin për lirinë publike, për të zhvilluar brenda vetes atë gout ose shijen për liberté dhe shijen e veçantë për égalité ose barazi që e ngërthen brenda vetes liberté. Thënë sistematikisht, mund të thuhet se secili revolucion kalon së pari nëpër fazën e çlirimit para se të mund ta arrijë lirinë, faza e dytë dhe vendimtare e themelimit të një forme të re të qeverisë dhe një politike të re të qëndrueshme. Në rrjedhën e Revolucionit Amerikan, faza e çlirimit nënkuptonte çlirim nga frenimi politik, nga tirania, monarkia ose çfarëdo fjale që mund të jetë përdorur. Faza e parë ishte karakterizuar prej dhunës, e dyta ishte çështje e delegimit, diskutimit dhe bindjes, me pak fjalë, zbatimin e “shkencës politike” sikurse e kuptonin këtë shprehje themeluesit.
Por, në Francë, ndodhi përnjëherë diçka krejtësisht tjetër. Faza e parë e revolucionit është karakterizuar shumë më shumë prej dezintegrimit se prej dhunës, dhe kur u arrit faza e dytë dhe Konventa Kombëtare do ta shpallte Francën republikë, pushteti tashmë ishte zhvendosur në rrugë. Burrat që ishin mbledhur në Paris për të përfaqësuar më fort la nation se le peuple, shqetësimi kryesor i të cilëve – pavarësisht nëse emri i tyre ishte Mirabeu apo Robespierre, Dantoni a Saint-Just – ishte qeveria, reformimi i monarkisë dhe më vonë themelimi i republikës, e panë veten papritmas të konfrontuar me një tjetër detyrë të çlirimit, që ishte çlirimi i popullit prej frenimit: që t’i çlironin që përnjëmend të ishin të lirë.
Kjo ende nuk ishte ajo që Marksi dhe Tocqueville do ta shihnin si element krejtësisht të ri të revolucionit të vitit 1848, kapërcimit prej ndryshimit të formës së qeverisë në përpjekje për ta ndryshuar rendin e shoqerisë me mjete të luftës klasore. Vetëm pas shkurtit 1848, pas “betejës së parë të madhe… ndërmjet dy shtresave që ndajnë shoqërinë”. Marksi theksonte se revolucioni tani nënkuptonte “rrëzimin e shoqërisë borgjeze, ndërkaq më parë nënkuptonte rrëzimin e formës së shtetit”. Revolucioni francez i vitit 1789 ishte hyrje për këtë dhe, megjithëse përfundoi me dështim të madh, mbeti vendimtar për të gjitha revolucionet e mëpasshme. Tregoi se çfarë nënkuptonte në praktikë formula se krejt njerëzit janë të barabartë. Dhe ishte kjo barazi që Robespierre e kishte në mendje kur tha se ai revolucion përballi lavdinë e njeriut kundër shpirtngushtësisë së të mëdhenjve; dhe Hamiltoni foli ngjashëm kur tha ia zbardhi fytyrën nderit të racës njerëzore; sikur se edhe Kanti, i mësuar prej Rousseaut dhe Revolucionit Francez, kur e pranoi dinjitetin e ri të njeriut. Pavarësisht se çfarë tjetër mund të ketë arritur apo jo Revolucioni Francez – dhe nuk arriti barazinë njerëzore – ai çliroi të varfrit nga frenimi, nga lënia pas dore. Ajo që nuk mund të kontestohet assesi sot e asaj dite është se ata që ishin të përkushtuar për liri do të mund të mbeteshin besnikë ndaj një gjendjeje në të cilën liria për të dëshiruar – liria për të qenë i lirë – ishte privilegj i një grushti të njerëzve.
Me këtë rast, qëllimi i konstelacionit fillestar të revolucioneve ishte që masat të dilnin hapur – nëse më lejoni ta them me përshkrimin interpretativ – të Lord Actonit për marshin e grave në Versajë, në pikat e kthesave më të mëdha të Revolucionit Francez. Marshueset, theksonte ai, “luajtën pjesën e sinqertë të nënave, fëmijët e të cilave po vuanin urie në shtëpi SQUALID, andaj ato motivuan, gjë që as nuk e ndanë e as nuk e kuptuan (shqetësimin për qeverinë) ndihmën e çastit të artë të cilit nuk mund t’i bënte ballë askush”. Çfarë le peuple, siç e kuptuan francezët, i dhanë revolucionit dhe që mungonte prej zhvillimit të ngjarjeve në Amerikë, ishte parezistueshmëria e një lëvizjeje që fuqia njerëzore më nuk mund ta kontrollonte. Kjo përvojë elementare e mospërballimit – e përballueshme si rëniet e yjeve – i dha jetë një imagjinate krejtësisht të re, që edhe sot pothuajse automatikisht e ndërlidhim në mendimet tona për ngjarjet revolucionare.
Kur Saint-Justi i bënte thirrje, nën ndikimin e asaj çfarë e kishte parë me sytë e tij më parë, Les malheurueux sont la puissance de la terre, e kishte fjalën për “stuhinë revolucionare (Desmoulins)”, valët vërshuese të së cilës – derisa nuk do të ndaleshin në sipërfaqe – do të davariteshin bashkë me armiqtë e tyre, agjentët e kundërrevolucionit. Ose vrulli i madh dhe i guximshëm i Robespierret, që ishte mbajtur gjallë prej krimeve të tiranisë në njërën anë dhe prej përparimit të lirisë në anën tjetër, u rrit përherë për nga shpejtësia dhe dhuna. Ose atë që spektatorët e raportonin – “rrjedha e madhërishme e llavës që s’vjell asgjë dhe që askush nuk mund ta përthekojë”, spektakël që kishte mbetur nën shenjën e Saturnit, me “revolucionin që po i hante fëmijët e vet” (Vergniaud). Fjalët që po i citoj këtu janë thënë sa e sa herë prej burrave të përfshirë thellësisht në Revolucionin Francez dhe dëshmojnë gjërat që i kanë parë me sytë e tyre, e që nuk ishin punë që i kishin bërë ose ishin bërë qëllimisht. Ja çfarë ndodhi, dhe ua mësoi burrave një leksion se as shpresa e as frika nuk janë harruar asnjëherë. Leksioni, sado që ishte i thjeshtë dhe i ri dhe i papritur është, sipas fjalëve të Saint-Justit, se “nëse e dëshironi republikën, së pari duhet t’i nxirrni njerëzit nga gjendja e mjerueshme që i ka korruptuar ata. Nuk ka asnjë mirësi e virtyt politik pa krenari, dhe asnjëherë nuk mund të ketë krenari njeriu i lënë pas dore”.
Ky nocion i ri lirie, që bazohet mbi çlirimin nga varfria, ndryshoi rrjedhën dhe qëllimin e revolucionit. Liria tani nënkuptonte, para së gjithash, veshje, ushqim dhe riprodukim të specieve “sans-cullotes” që vetëdijshëm po shquante të drejtat e tyre nga fisnikët dhe për ta, gjuhën e pakuptimshme të proklamimit të të drejtave të njeriut dhe qytetarit. Krahasuar me urgjencën e kërkesave të tyre, krejt diskutimet për formën më të mirë të qeverisë papritmas dukeshin jorelevante dhe të përziera. La République? La Monarchie? Je ne connais que la question sociale, tha Robespierre, dhe Saint-Just, i cili ishte nisur me entuziazmin më të madh të mundshëm për “institucione republikane”, do të shtonte se “liria e njerëzve është në jetën e tyre private. Le të jetë qeveria vetëm forcë për ta mbrojtur këtë gjendje kundër vetë forcës”. Ai mund të mos e ketë ditur, por ajo ishte pikërisht kredoja e despotëve të përndritur, të cilët pretendonin, me Charkesin e Parë të Anglisë në një fjalim të tij nga froni, se “liria dhe liria politike konsiston me një qeveri të atyre ligjeve, me të cilat jeta e tyre dhe të mirat e tyre do të jenë, para së gjithash, të tyre, jo pse kanë hise në qeveri, që nuk u përket aspak atyre”. Po të ishte kështu, derisa të gjithë pjesëmarrësit dolën nga mjerimi, u pajtuan papritmas se qëllimi i revolucioneve ishte lumturia e njerëzve – le but de la Révolution est le bonheur du people – atëherë në të vërtetë do të mund të ofrohej më parë prej një qeverie despotike mjaftueshëm të përndritur se prej një republike.
Revolucioni Francez përfundoi si mos më keq dhe u shndërrua në pikë kthese në historinë e botës; Revolucioni Amerikan ishte sukses triumfues dhe vazhdoi të mbeste çështje lokale, pjesërisht edhe për shkak se kushtet shoqërore në botë ishin shumë më të ngjashme me ato në Francë, dhe pjesërisht për shkak se tradita e njohur pragmatike anglosaksone e lavdëruar s’donte që brezat pasues të amerikanëve të mendonin për revolucionin e tyre dhe ta konceptualizonin si duhej në përvojën e tyre. Andaj s’është e habitshme se despotizmi, ose aktualisht kthimi në epokën e absolutizmit të përndritur, i cili erdhi qartësisht në shprehje gjatë rrjedhës së Revolucionit Francez, u shndërrua në rregull për pothuajse të gjitha revolucionet pasuese ose, së paku, për ato që nuk përfunduan me restaurim të status quo ante, madje u bë dominues në teorinë revolucionare.
Nuk më duhet të shtjell këtë zhvillim hollësisht; është mjaftueshëm i njohur, sidomos prej historisë së partisë bolshevike dhe Revolucionit Rus. Për më tepër, ishte i parashikueshëm: në fund të verës të vitit 1918, pas shpalljes së Kushtetutës sovjetike, por para valës së terrorit të nxitur nga tentimvrasja e Leninit – Rosa Luxemburg, në letrën private, por më vonë të botuar, e tani të famshme, shkruante: “Me represionin e jetës politike në vend si tërësi… s’ka më jetë në asnjë institucion publik, duke u shndërruar në një ngjasim jete, ku vetëm burokracia mbetet element aktiv. Gradualisht jeta publike bie në gjumë të thellë. Janë vetëm një grusht njerëzish të partisë që sundojnë pajustifikueshëm dhe pakufishëm me grusht të hekurt. Vetëm një grup njerëzish në krye të pushtetit bëjnë çfarëdo që duan, dhe elita e shtresës punëtore ftohet herë pas here në takime ku anëtarët e saj duartrokasin fjalimet e krerëve dhe aprovojnë unanimisht zgjidhjet e propozuara. Diktaturë se jo mahi; jo diktaturë e proletariatit, por e një grushti politikanësh”. Dhe kështu doli fije e për peri – hiq sundimin totalitar të Stalinit, për të cilin vështirë se do të mund të bëhej përgjegjës as Lenini dhe as tradita revolucionare, dhe askush nuk mund të kontestojë. Por ajo që mbase është më pak e dukshme, është se do të duhej ndryshuar vetëm pak fjalë për ta bërë përshkrimin e përsosur të absolutizmit si pararendës revolucionesh.
Një krahasim i dy revolucioneve të para, fillimet e të cilave ishin aq të ngjashme dhe fundet e të cilave ishin aq të ndryshme, demonstron qartësisht, mendoj, jo vetëm se mbisundimi i varfërisë është parakusht për themelin e lirisë, por edhe ai çlirim nga varfëria nuk mund të arrihet me të njëjtën mënyrë si çlirim nga shtypja politike. Nëse dhuna kundër dhunës çon në luftë të huaj ose civile, dhuna kundër kushteve sociale gjithnjë ka çuar në terror. Terrori është zbutur pas heqjes qafe të regjimit të vjetër dhe është instaluar regjimi i ri, që ka qenë arsyeja pse revolucionet kanë shkuar në fund të pusit, ose i ka deformuar aq shumë saqë janë shndërruar në tirani dhe despotizëm.
Thashë më parë se qëllimi fillestar i revolucionit ishte liria në kuptimin e heqjes qafe të sundimit personal dhe për kthimin e përgjegjësisë për punët publike të një administrate të përgjegjshme. Vetë sundimtaria kishte burimin më legjitim jo të prirjes për pushtet, por dëshirën njerëzore për ta emancipuar njerëzimin nga nevojat e jetës, realizimi i të cilave kërkonte dhunë, mjetet e detyrimit të të tjerëve që ta bartin barrën e një grushti njerëzish që, së paku, të mund të ishin të lirë. Ky, dhe ky akumulim i pasurisë, ishte boshti i skllavërisë, së paku në antikitet, e që erdhi vetëm me ngritjen e teknologjisë moderne e jo prej ngritjes së nocioneve politike moderne, përfshirë idetë revolucionare që kanë ndryshuar gjendjen njerëzore së paku në disa pjesë të botës.
Ajo çfarë Amerika arriti me fat të madh, sot shumë shtete të tjera, mbase jo të gjitha, mund ta kërkojnë prej përpjekjeve të kalkuluara dhe zhvillimit të organizuar qëllimmirë. Ky fakt është shenjë shprese. Na lejon të nxjerrim leksione prej revolucioneve të deformuara e të mos dënojmë madhështinë e tyre, por ta çmojmë premtimin e trashëguar.
Më lejoni që përfundimisht të vë në pah vetëm edhe një aspekt tjetër të lirisë që ishte në ballë të revolucioneve e për të cilin nuk ishin të përgatitur fare as vetë revolucionarët. Është ideja se duhet të koincidojnë liria dhe përvoja aktuale e një fillimi të ri në vazhdimësinë historike. Më lejoni t’jua kujtoj edhe një herë Novus Ordo Saeclorumin. Fraza e befasishme e Virgjilit flet për “ciklin e madh të periudhave që përsëriten” në sundimin e Augustit: Magnus ab integro seclorum nascitur ordo. Virgjili flet këtu për rendin e madh (magnus), por jo për rendin e ri (novus), dhe është ky ndryshim fjalësh që është cituar shumë gjatë shekujve që është karakteristikë e përvojave të kohës moderne. Për Virgjilin – tani me gjuhën e shekullit të shtatëmbëdhjetë – ishte çështje e krijimit të Romës “të përtërirë”, por jo për krijimin e një “Rome të re”. Kështu, u bishtnonte, në stilin tipik romak, rreziqeve të frikshme të dhunës së trashëguar me thyerjen e traditës së Romës, duke kërkuar kështu që të krijohej një qytet i brendshëm duke sugjeruar fillim të ri. Tani natyrisht se mund të hahemi se ai fillim i ri, të cilin mendonin se po e shikonin spektatorët e revolucioneve të para, ishte vetëm rilindje e diçkaje goxha të vjetër: rilindja e një spektri politik që po ngrihej më në fund nga krishterimi, feudalizmi dhe absolutizmi. Por, s’ka rëndësi nëse është fjala për lindje a për rilindje. Vendimtare në fjalinë e Virgjilit është se është nxjerrë prej himnit kishtar, jo duke profetizuar lindjen e fëmijës hyjnor, me lavdërimin e vet kësaj lindjeje, ardhjen e një brezi të ri, ndodhinë e madhe ose “mrekullinë” që do ta ndryshojë njerëzimin përsëri. Me fjalë të tjera, është afirmim i hyjnores së lindjes, dhe bindja se shpëtimi potencial i botës ngërthehet në faktin se speciet njerëzore rigjenerojnë përherë dhe përgjithmonë veten.
Ajo çfarë njerëzit e revolucionit i ka kthyer te kjo poemë e veçantë e antikitetit, pa e përzier shumë diturinë e tyre, do të sugjeroja unë, ishte jo vetëm ideja pararevolucionare, por edhe përvoja e të qenët të lirë koincidonte, ose është pashkëputshëm e ndërlidhur me fillimin e diçkaje të re, thënë metaforikisht, lindjen e një epoke të re. Të jesh i lirë dhe të fillosh diçka të re ishte pak a shumë e njëjta punë. Dhe, pa dyshim, kjo dhuratë njerëzore misterioze, aftësia për të filluar diçka të re, ka njëfarë lidhje me faktin se gjithsecili prej nesh kemi ardhur në këtë botë si të porsaardhur nëpërmjet lindjes. Me fjalë të tjera, ne mund të fillojmë diçka, sepse ne jemi fillesat dhe rrjedhimisht fillestarët.
Sa për të vepruarit dhe të folurit – dhe të folurit është vetëm një tjetër mënyrë e të vepruarit – këto aftësi na bëjnë qenie politike, dhe meqë të vepruarit gjithnjë synonte të jetësonte diçka që nuk ekzistonte më parë, lindja, lindshmëria njerëzore, që korrespondon me vdekshmërinë njerëzore, është kusht ontologjik, i domosdoshëm për krejt politikën. Kjo njihej në antikitetin grek dhe romak, megjithëse jo në mënyrë krejt shprehimore. Erdhi në pah gjatë përvojave të revolucionit dhe ndikoi jo përsëri në mënyrë eksplicite, atë çfarë dikush mund ta quajë fryma revolucionare. Dhe pavarësisht se revolucionet janë shndërruar në vula të botës që po jetojmë, kohë pas kohe kanë zbuluar shpërthimin e fillimeve të reja brenda vazhdimësisë historike dhe të përkohshme.
Për ne, që ia kemi borxh një revolucioni dhe krijimit rezultues prej tij të një politike krejtësisht të re që të ecim me dinjitet dhe të veprojmë në liri, do të duhej të ishte urti që të kujtonim çfarë do të thotë revolucioni në jetën e kombeve. Pavarësisht se a përfundon me sukses, me krijimin e një hapësire publike për liri, apo me katastrofë për ata që e rrezikuan ose morën pjesë kundër pritjes ose pritjes së tyre, kuptimi i revolucionit është aktualizim i një mundësie më elementare dhe më të mëdha njerëzore, përvojë e pakrahasueshme e të qenët të lirë për të nisur një fillim i ri, prej të cilit buron krenaria e hapjes së botës ndaj një Novus Ordo Saeclorum.
Sa për ta përmbledhur: Niccolò Machiavelli, të cilin dikush mund ta quajë “babai i revolucioneve”, dëshironte me pasionin më të madh rend të ri të gjërave për Italinë, megjithëse prapëseprapë nuk fliste me kushedi çfarë përvoje për këto çështjeje. Andaj, ende besonte se “inovatorët”, apo revolucionarët do të përballeshin me vështirësinë më të madhe në fillim për ta marrë pushtetin, dhe se mbajtja e pushtetit do të ishte larg më e lehtë. Ne e dimë praktikisht nga të gjitha revolucionet, se është krejtësisht e kundërta – se është relativisht lehtë ta marrësh pushtetin, por pafundësisht më vështirë që ta mbash – siç e kishte thënë edhe vetë Lenini, dëshmitar i këtyre punëve. Megjithatë, Machiavelli dinte mjaftueshëm sa për të thënë me sa vijon: “Nuk ka asgjë më të vështirë, më shumë dyshime për sukses, më shumë rrezik për ta menaxhuar sesa të nisësh një rend të ri gjërash”. Ma ha mendja se kushdo që merr pak vesh në zhvillimet e shekullit njëzet, nuk e konteston këtë fjali. Për më tepër, rreziqet që i priste Machiavelli të ngriheshin u provuan se ishin reale edhe në kohën tonë, pavarësisht prej faktit se s’e dinte rrezikun më të madh në revolucionet moderne – rreziku që ngrihet nga varfëria. Ai përmend çfarë prej Revolucionit Francez janë quajtur forca kundërrevolucionare, të përfaqësuara prej atyre “që përfitojnë prej rendit të vjetër”, dhe prej atyre që mund të përfitojnë prej rendit të ri për shkak të “mosbesimit të njerëzimit, prej atyre që nuk besojnë përnjëmend në asnjë rend të ri, derisa të mos e përjetojnë”.
Megjithatë, me rëndësi në këtë pikë është se Machiavelli shihte vetëm rrezikun në humbjen e përpjekjes për të gjetur një rend të ri, në një vend të brishtë ku dëshirohet të jetësohet. Edhe në këtë pikë fjalën e ka për atë që kam folur më parë, boshllëkun e pushtetit, që mund t’i joshë zaptuesit. Jo se nuk ka ekzistuar më parë ky boshllëk pushteti, por mund të mbetet i fshehur për vite me radhë derisa të ndodhë ngjarja vendimtare, kur rënia e autoritetit dhe revolucionit e bëjnë të dukshëm me thirrje dramatike hapur, ku mund të shihet e dëgjohet prej të gjithëve. Përveç kësaj, kemi qenë dëshmitarë të rrezikut suprem se pas përpjekjeve joserioze për t’i gjetur institucionet e lirisë, mund të rezultojë shtypja e lirisë dhe të gjitha lirive.
Pikërisht pse revolucionet kontestojnë lirinë politike në formën e tyre më të vërtetë dhe më radikale – lirinë për të marrë pjesë në çështje publike, lirinë e veprimit – të gjitha liritë e tjera, qofshin ato politike apo civile, rrezikojnë të dështojnë. Revolucionet e deformuara, si Revolucioni i tetorit në Rusi nën Leninin, apo revolucionet e pafrytshme, si shumë kryengritje politike në fuqitë qendrore evropiane pas Luftës së Parë Botërore, mund të kenë, siç e dimë tani, pasoja të cilat mund të jenë të pashembullta. Halli është se revolucionet rrallëherë janë të kthyeshme, se kur ndodhin nuk harrohen – siç ka thënë Kanti për Revolucionin Francez në kohën kur terrori sundonte Francën. Me gjasë kjo nuk do të thotë se më së miri është të frenohen për shkak se revolucionet janë pasoja të regjimeve në dezintegrim të plotë, dhe jo “prodhim” i revolucionarëve – qofshin të organizuar në sekte konspirative ose në parti – sesa të frenosh një revolucion që synon ndryshimin e formës së qeverisë, që në vetvete nënkupton për t’i dhënë efekt një revolucioni me krejt rreziqet që bart.
Rënia e autoritetit dhe pushtetit, që si rregull ndodh papritmas jo vetëm për lexuesit e gazetave, por edhe për krejt shërbimet sekrete dhe ekspertët e tyre që i zhbirojnë këto gjëra, shndërrohet në revolucion në kuptimin e plotë të fjalës vetëm kur ka njerëz të gatshëm për ta marrë pushtetin, për të lëvizur dhe vepruar, nëse mund të flasim kështu, nëpër boshllëkun e pushtetit. Se çfarë ndodh pastaj varet prej rrethanave, e jo prej shkallës së përfshirjes të fuqive të huaja në pakthyeshmërinë e praktikave revolucionare. Por, mbi të gjitha, varet prej cilësive subjektive dhe suksesit moral dhe politik, ose dështimit të atyre që janë të gatshëm të marrin përgjegjësi. Kemi pak arsye të shpresojmë se në një kohë, në një të ardhme jo fort të largët, njerëzit e tillë do ta gërshetojnë urtësinë teorike dhe praktike të burrave të Revolucionit Amerikan që u bënë themelues të këtij vendi. Por ajo pak shpresë, druaj unë, është e vetmja që na ka mbetur që liria në sensin politik nuk do të davaritet përsëri nga faqja e dheut për aq shekuj sa vetëm Zoti e di.
(Marrë nga revista “Akademia”. Titulli i tekstit, i redaksisë së gazetës “Epoka e re”, me pëlqimin e botuesit të revistës)