Fillimi

13 shkurt 2023 | 08:32

DAVID LODGE

E pashme, e zgjuar dhe e pasur, me një shtëpi të rehat­shme e me natyrë të hareshme, Ema Udhaus gëzonte bekimet më të mira të jetës. Kishte ardhur në këtë botë njëzet e një vjet më parë dhe vështirë se e kishte njohur ligështimin a brengën.

Ajo ishte më e vogla e dy bijave të një babai shumë të dhembshur e zemërbutë. Pas martesës të së motrës, ishte bërë zonjë e shtëpisë atërore në një moshë shumë të re. Meqenëse e ëma i kishte vdekur prej kohësh, ajo ruante një kujtim të vagullt të përkëdheljeve të saj. Vendin e nënës e kishte zënë një guvernante, grua e shkëlqyer, dashuria e së cilës kishte qenë thuajse si ajo e një nëne.

Për gjashtëmbëdhjetë vjet zonjusha Tejlor kishte qenë pjesë e familjes Udhaus më tepër si mike sesa si guve­nante, shumë e dashur me të dyja vajzat, por më së shumti me Emën. Afërsia midis tyre ngjante më tepër si lidhje motrash. Edhe përpara se zonjusha Tejlor ta linte zyrtarisht detyrën e guvernantes, butësia e karakte­rit të saj nuk e kishte lejuar t’u vinte asnjë rregull. Kur edhe gjurma e fundit e autoritetit ishte zhdukur prej kohësh, ato kishin jetuar si mikesha, madje me një dashuri të ndërsjellë. Por Ema bënte ç’i donte qejfi; respektonte mendimin e zonjushës Tejlor por, para së gjithash, vepronte me kokën e vet.

Në të vërtetë, ana negative e Emës ishte se vepronte më shumë sesa duhej me kokën e vet, si dhe prirej ta lartësonte veten pak së tepërmi; këto ishin të metat që kërcënonin t’i turbullonin gëzimet e saj të shumta. Megjithatë, tani për tani rreziku ishte i papërfillshëm dhe këto të meta nuk mund të shiheshin kurrsesi si fatkeqësi për të.

Por ia behu brenga, një brengë e lehtë, por jo në traj­tën e një brejtjeje të pakëndshme ndërgjegjeje. Zonju­sha Tejlor u martua.[1]

JANE AUSTEN, Ema (1816)

Kjo është storja më e dhimbshme që e kam dëgjuar ndonjëherë. Në qytetin Nauheim, përgjatë nëntë sti­nëve, ne u njohëm mirë me Ashburnhamët apo, më saktë, ishte njohje e çiltër, e zakonshme dhe e afërt si një dorashkë e butë në dorë. Unë dhe gruaja ime u njohëm me kapitenin dhe zonjën Ashburnham si çdo­kush mirëpo, në një kuptim tjetër, nuk dinim asgjë për ta. Kujtoj se kjo ndodh vetëm me anglezët, për të cilët, deri më sot, kur ndalem ta vras mendjen mbi ato që di për këtë çështje të dhembshme, them se nuk di asgjë. Deri para gjashtë muajve kurrë nuk kam qenë në Angli dhe, sigurisht, kurrë s’e kam matur thellësinë e zemrës angleze. I njihja shumë sipërfaqësisht.

FORD MADOX FORD, Ushtari i mirë (1915)

KUR FILLON ROMANI? Kjo pyetje, pothuajse, është po aq e vështirë për t’iu përgjigjur sa edhe pyetja se kur embrioni i njeriut bëhet person? Natyrisht, kri­jimi i romanit rrallë fillon me shkrimin ose shtypjen e fjalëve të para. Shumica e shkrimtarëve bëjnë disa punë preliminare edhe nëse kjo është vetëm në kokat e tyre. Shumë prej tyre e përgatitin terrenin me kujdes me javë ose muaj. Ata krijojnë diagrame të intrigës, hartojnë CV-të e personazheve, mbushin fletoret me ide, mje­dise, situata e shaka për t’i nxjerrë më pas në procesin e krijimit. Çdo shkrimtar e ka mënyrën e vet të punës. Henry Jamesi, për romanin Plaçkat e Poyntonit, mbante shënime aq të gjata dhe po aq interesante sa edhe romani përfundimtar. Me sa e di unë, Muriel Spark e men­donte konceptin e romanit të ri dhe nuk shkruante asnjë shkronjë në letër derisa ta gjente titullin e pra­nueshëm dhe fjalinë hyrëse.

Megjithatë, për lexuesin romani gjithmonë fillon me fjalinë hyrëse (që, natyrisht, mund të mos jetë fjalia e parë e shkruar nga romancieri). Dhe pastaj fjalinë tjetër dhe fjalinë pas saj… kur përfundon fillimi i një romani është, gjithashtu, një pyetje tjetër e vështirë për t’u për­gjigjur. A është paragrafi i parë, faqet e para apo kapi­tulli i parë? Sido që të përcaktohemi, fillimi i një romani është pragu që ndan botën reale ku jetojmë nga bota imagjinare e romancierit. Prandaj, siç thotë një frazë, ai duhet të “na tërheqë”.

Kjo nuk është detyrë e lehtë sepse ne ende nuk jemi mësuar me tonin e zërit të autorit, gamën e fjalorit, shprehitë sintaksore. Në fillim, librin e lexojmë nga­dalë e me hezitim. Ekzistojnë shumë informacione të reja që duhet t’i pranojmë e t’i mbajmë në mend, si emrat e personazheve, marrëdhëniet e afërsisë dhe lidhjes, hollësitë kontekstuale të kohës dhe të vendit, pa të cilat nuk mund të ndiqet storja. A do t’ia vlejë gjithë kjo për­pjekje? Shumica e lexuesve lexojnë disa faqe para se ta kapërcejnë pragun. Megjithatë, në dy shembujt e para­qitur këtu, hezitimi është i vogël ose inekzistent. “Push­tohemi” me fjalinë e parë të secilës pjesë.

Hyrja e Jane Austenit është klasike: e qartë, e matur, objektive, me implikime ironike të stilit të fshehur nën dorashkën elegante kadife. Me sa delikatesë fjalia e parë e ndërton heroinën në tatëpjetë. Kjo do të duhej të ishte në kundërvënie me storjen e Hirushes, triumfin e heroinës së nënvlerësuar, që dikur ngacmonte imagji­natën e Jane Austenit nga Krenaria dhe Paragjykimi te Parku i Mansfieldit. Ema është princeshë që, përpara se ta gjejë lumturinë e vërtetë, duhet të përulet. “E pashme” (në vend të fjalës së zakonshme atraktive apo buku­roshe – aludon vullnetin mashkullor për pushtet, mbase, epitet androgjen), “e zgjuar” (term ambig për inteli­gjencë që, nganjëherë, përdoret në mënyrë nënçmuese, “shumë e zgjuar për të mirën e vet”) dhe “e pasur”, me gjithë asociacionet biblike dhe proverbiale mbi rreziqet morale të pasurisë: këta tre mbiemra, të kom­binuar kaq hollë (në theks dhe fonologji – përpiquni t’i rirenditni) përmbledhin mashtrimin e, “gjoja”, këna­qësisë së Emës. Pasi ka jetuar për “gati njëzet e një vjet në një botë me shumë pak për t’u shqetësuar apo mërzitur”, ajo është e gatshme të zgjohet. Ema, pothuajse njëzet e njëvjeçare, moshë tradicionale e pjekurisë, tani duhet të marrë për­gjegjësi për jetën e saj dhe, për një grua në shoqërinë borgjeze të fillimshekullit nëntëmbëdhjetë, kjo do të thoshte të vendoste nëse dhe me kë do të martohej. Ema është e lirë në këtë aspekt sepse ajo tashmë është “zonjë” shtëpie, rrethanë që ka ushqyer arrogancë, meqë është rritur nga një guvernate që i ka dhënë dashurinë e nënës, por (sipas nënkup­timit) jo disiplinën e nënës.

Kjo vërehet edhe më prerë në paragrafin e tretë por, në të njëjtën kohë, mjaft interesant, në diskurs fillojmë ta dëgjojmë zërin e Emës si dhe zërin e matur e objektiv të narratorit. “Afërsia midis tyre ngjante më tepër si lidhje motrash”. “Ato kishin jetuar si mikesha.”.. Në këto fraza duket se e dëgjojmë përshkrimin e vetë­kënaqur të Emës për marrëdhënien së saj me guve­nantën, për­shkrim që e lejonte të bënte “ç’i donte qejfi”. Struktura ironike e përfundimit të paragrafit, “respektonte men­dimin e zonjushës Tejlor por, para së gjithash, vepronte me kokën e vet”, balancon sime­trikisht dy deklarime logjikisht të papajtueshme dhe kështu tregohet e meta e karakterit të Emës që shpre­het në mënyrë eksplicite nga narratori në paragrafin e katërt. Pas martesës së zonjushës Taylor, fillon storja e vërtetë: e privuar nga shoqëria dhe nga këshillat e pjekura të zonjushës Taylor, Ema merr një ndihmëse të re, Harrietën, e cila inkurajon kotësinë e saj dhe në emër të saj jepet pas një intrige mblesërie me rezultat katastrofik.

Fjalia e famshme hyrëse e Ford Madox Fordit është marifet i pastër që kap vëmendjen e lexuesit. Ai, prak­tikisht, na tërheq mbi prag për jake. Rrëfimi pothuajse menjëherë përqafon karakteristikat moderne: është i paqartë, indirekt dhe shpreh ankth për zbulimin e së vërtetës. Kush na drejtohet? Ai shkruan anglisht, por nuk është anglez. Ai njeh çiftin anglez që është subjekt i “storjes më të dhembshme” për nëntë vjet, megjithatë pretendon se “nuk di asgjë” për anglezët deri në çastin e rrëfimit. Fjalia e parë “që e kam dëgjuar” sugjeron se ai do ta rrëfejë storjen e dikujt tjetër, por menjëherë nënkuptohet se narratori dhe, mbase, gruaja e tij, ishin edhe vetë pjesë e saj. Narratori i njeh Ashburnhamët nga afër – dhe aspak. Këto kundërvënie racionalizohen si efekt i anglicitetit, pabarazisë midis pamjes dhe rea­litetit në sjelljen e klasës së mesme angleze; kështu, ky fillim ka një notë ngjashmërie tematike me atë të Emës, ndonëse është më tragjik sesa argëtues në nëntonet paralajmëruese. Fjala “e dhembshme” përsëritet në fund të paragrafit dhe fjala tjetër kyçe “zemër” (dy nga personazhet supozohet se kanë probleme me zemër, të gjithë kanë jetë të çrregullt emocionale), futet në fjalinë e parafundit.

E kam përdorur metaforën e dorashkës për ta për­shkruar stilin e Jane Austenit, stil që pjesërisht shtiret autoritativ duke iu shmangur metaforës (metafora është figurë poetike e fjalës, në kundërvënie me arsyen dhe e kuptimin e përgjithshëm). Në fakt, e njëjta metaforë e dorashkës gjendet në paragrafin hyrës të Ushtarit të Mirë, megjithëse me një kuptim tjetër. Këtu ajo shenjon sjelljen e njerëzishme shoqërore, sjelljen e lirshme, por të përmbajtur, që shkon me begatinë dhe shijen e hollë (dorashka “e butë” specifikohet), por aludon fshehje mashtruese ose “mbulim”. Disa enigma që ngrihen në paragrafin e parë shpjegohen shpejt – për shembull, informacioni se narratori është amerikan që jeton në Evropë. Mirëpo në këtë storje shumë të dhembshme, çështje vendimtare do të jenë: besueshmëria e dëshmisë së tij dhe shtirja e vazhdueshme e personazheve të tjerë.

Sigurisht ekzistojnë pafund mënyra të tjera për ta nisur romanin. Duke e shfletuar këtë libër, lexuesi do të ketë mundësi të shohë disa sosh, sepse shpesh kam zgjedhur paragrafin hyrës të romanit ose të tregimit të ilustroj aspekte të tjera të artit fiksional (hyrja më kur­sen nga detyrimi ta përmbledh intrigën). Por, ndoshta, ia vlen të përmendim edhe vargun e mundë­sive. Romani mund të fillojë me një përshkrim të sfondit të peizazhit ose pamjes së qytetit si ambient kryesor i storjes, siç e quan kritika e filmit, miseen-scène (mizen­skena): për shembull, përshkrimi i zymtë i Egdon Heathit në hyrje të romanit të Thomas Hardyit Kthimi i vendësit, ose rrëfimi i E. M. Forsterit për Chandra­porein në prozën elegante, udhërrëfyese, urbane, në hapje te Një udhëtim në Indi. Romani mund të fillojë në mes të bisedës, si në Një grusht pluhur të Evelyn Wau­ghit, apo në veprat idiosinkratike të Ivy Compton Bur­nettit. Mund të fillojë me një vetëpre­zantim të narra­torit, Më quaj Ishmael (Mobi Dik i Herman Melvi­lleit), ose duke mos respektuar traditën letrare të autobio­grafisë: “…gjëja e parë që, ndoshta, dëshironi ta dini, është se ku kam lindur, si ka qenë fëmijëria ime e dja­llosur, si ishin zënë prindërit e mi dhe gjithçka para se të vija unë, gjithë ajo broçkull e David Coperfildit, por nuk dëshiroj të hyj andej” (J. D. Salinger’s, Rojë në thekërishte). Romancieri mund të fillojë me një reflektim filozofik – “E kaluara është vend i huaj: atje bëhen gjërat ndryshe” (L. P. Hartley, Ndërhyrësi), ose perso­nazhi vihet në rrezik ekstrem që në fjalinë e parë: “Hale e dinte se dëshironin ta vrisnin tri orë para se të mbë­rrinte në Brighton” (Graham Greene, Shkëmbi i Brigh­tonit). Shumë romane fillojnë me një “storje kor­nizë” që shpjegon se si u zbulua storja kryesore ose e për­shkruan atë duke ia rrëfyer një audience fiksionale. Në veprën Zemra e errësirës të Conradit narratori anonim e paraqet Marlowin duke ia rrëfyer përvojat e Kongos një rrethi miqsh të ulur në kuvertën e gomones në grykë­derdhjen e Temzës (“Dhe edhe ky”, fillon Marlow, “ishte një nga vendet më të errëta të tokës”). Shtrëngimi i vidhës i Hanry Jamesit përbëhet nga kujtimet e një gruaje të ndjerë, e cila u lexohet me zë të ftuarve në një festë në fshat, që argë­tohen me storje fantazmash dhe përballen me pasoja të padëshiruara. Kingsley Amis e fillon storjen e fan­tazmave, Njeriu i gjelbër, me një pas­tish argëtues të Udhëzuesit për ushqim të mirë: “Posa të kaptohet habia e gjetjes së një bujtine në më pak se 40 milje nga Londra – dhe 8 nga M1 – do të mahniteni me vlerën e tarifës së barabartë angleze.”.. Italo Calvino te Nëse një natë dimri një udhëtar, nis kështu: “Jeni gati ta filloni leximin e romanit të Italo Calvinos, Nëse një natë dimri një udhëtar. Zgjimi i Fineganit i James Joyceit nis në mes të fjalisë: “rrjedhës së lumit, përtej Evës dhe Adamit, nga devijimi i bregut në lakoren e gjirit, kthen ciklin vicioz përsëri në Kështjellën Howth dhe Environ”. Fragmenti i munguar e mbyll librin: “Rruga e vetme e fundit e dashur e gjatë e” – duke na kthyer kështu sërish në fillim, si cikli i ujit në natyrë, nga lumi në det në re, në shi në lumë dhe si produkt i pafund i kuptimit të leximit të fiksionit.

Përktheu nga origjinali (anglishtja): Meliza Krasniqi. Të gjitha të drejtat në gjuhën shqipe, shtëpia botuese “Armagedoni”. Ndalohet publikimi pa pëlqimin e botuesit.

[1] Ema, Jane Austen, Pegi, Tiranë, 2014, përkthyer nga Ledia Dushi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesoresha Bettany Hughes, është e njohur në botë për programet…