
Kërkohet ndihmë publike për projektin e bunkerit të “Radios Kosova e Lirë”
Shtigjeve të Maleve të Berishës iu ngjitën me dhjetëra herë.
Kjo pasi në Majën e Pallanikut, me urdhrin e shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u ndërtua ky bunker.
E brenda tij, në kushte lufte, u vendos një radio e tërë.
“Rëndësia e këtij bunkeri, të radiostacionit të vetëm të luftës të UCK-së, mbetet historike. Sepse nga 4 janari i vitit ’99 deri me 21 qershor të vitit ’99, zëri i vetëm i shpresës së UÇK-së, nuk është ndalur asnjëherë”, thotë Nusret Pllana, ish-moderator i radios së luftës.
E 25 vjet pas luftës, bunkeri i radios “Kosova e Lirë” edhe një herë po e merr pamjen që e kishte.
Krejt pas një projekti të nisur vullnetarisht nga ish-ekipi i radios, në shtatorin e vitit 2022.
E më të, ka filluar edhe hapja rrugës nga fshati Berishë që të shpie tek vendi nga ku u dhanë lajmet e luftës.
Por, shtrimi i rrugës me zhavorr ka përfunduar në pikën ku edhe përfundon komuna e Malishevës.
E kjo është gjendja e saj, aty nga ku nis territori i Komunës së Drenasit.
“Neve si staf i luftës dhe i paqes, iu kemi drejtuar dy kuvendeve komunale, të Malishevës dhe të Drenasit, pasi që kjo rrugë prej 2 km e 200 metrave iu takon të dyjave, cilës më shumë e cilës më pak. 0:50 Kuvendi Komunal i Malishevës, të cilin e falënderojmë për punën që e ka kryer, neve jemi në fazën përfundimtare të punimeve të shtruarjes me zhavorr të kësaj pjesë të rrugës, që është 1 km e 200 metra. E tani jemi duke pritur një përgjigje nga Komuna e Drenasit, të i përgjigjet kërkesës sonë, të na i dal në ndihmë që t’i shtrojmë këto 500-600 metra që na ka mbetur”, thotë Rizah Berisha, mbikëqyrës i projektit.
Për këtë pjesë të rrugës, Tëvë1 ka pyetur edhe në Komunën e Drenasit.
Komuna e udhëhequr nga Ramiz Lladrovci, thotë se ka kërkuar ndihmën e Ministrisë së Infrastrukturës, pasi kosto e shtrimit të kësaj pjesë të rrugës është e pa përballueshme për këtë komunë.
Por, kanë shtuar që shtrimi i saj me zhavorr, do të përfundoj në 6 mujorin e parë të këtij viti.
“Komuna e Drenasit, Drejtoria e Infrastrukturës Publike këtë projekt e ka kontratë tre vjeçare për shkak të kostos së lartë të buxheti të cilën e ka ky projekt e që financohet vetëm nga Komuna e Drenasit, punimet në terren janë duket vazhduar dhe më këtë kontratë të paraparë të përfundojnë vetëm pozicionet e mbushjes 0-150mm dhe pozicionet me zhavorr të fraksionit 0-63mm. Këto punime në këtë kontratë do të përfundojnë në 6 mujorin e parë të viti 2024”, thuhet nga Komuna e Drenasit.
Ish-ekipi i radios, shpreson që përurimi i këtij projekti të bëhet me 21 qershor, e që përkon me ditën dita kur u transmetua edhe emisioni i fundit në kohë lufte.
Por për këtë, Nusret Pllana, thotë se kërkojnë ndihmën e donatorëve.
“Nuk është ndonjë shumë e kushtueshme, sic po e shihni edhe vet është një distancë prej 500-600 metrave të shtrohet në zhavorr dhe t’i jepet edhe një shtresë asfalt, kështu që edhe prej mërgatës shqiptare nuk turpërohemi të kërkojmë ndihmë në rastin konkret sepse këto procedurat burokratike të tenderëve dhe prokurimeve etj, ka mundësi që të na dështojnë sivjet dhe të mbeetemin në gjysmë të rrugës, prandaj po e kërkojmë edhe një ndihmë publike qoftë nga mërgata shqiptare po edhe nga ata të vendit”, shprehet Pllana.
Në ditën e përurimit, ish-ekipi i radios së luftës, synon që direkt ta transmetoj emisionin e 21 qershorit të vitit 1999.