
Hulk Hogan ndërron jetë në moshën 71 vjeçare pas një sulmi në zemër
Një nga ikonat më të mëdha të mundjes profesionale, Hulk Hogan, ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare, pas një sulmi në zemër, sipas raportimeve të para.
Mediat amerikane raportojnë se legjenda e WWE-së është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në Clearwater, Florida, mëngjesin e së enjtes.
Sipas TMZ, ekipet emergjente mbërritën në vendngjarje pas një telefonate urgjente në 911 që raportonte një arrest kardiak.
Hogan, emri i vërtetë i të cilit është Terry Gene Bollea, hyri në skenën e WWE për herë të parë në vitin 1983 dhe shpejt u kthye në fytyrën më të njohur të kompanisë gjatë viteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90.
Me pamjen e tij ikonike dhe energjinë e pazëvendësueshme në ring, ai shndërroi WWE-në në një fenomen botëror.
Në vitin 1993, ai u largua përkohësisht nga WWE për të ndjekur një karrierë në aktrim, por gjithmonë mbeti një figurë që përfaqësonte zemrën e mundjes profesionale.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka tronditur botën e sportit dhe miliona fansa anembanë globit. HulkaMania nuk do të harrohet kurrë.