Hulumtuesi i KDI-së: Mbi 90 për qind e rasteve të mëdha të korrupsionit në Kosovë dështojnë në gjykatë

28 maj 2025 | 07:59

Hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku, ka ngritur shqetësime serioze për mos efikasitetin e drejtësisë në luftën kundër korrupsionit në Kosovë.

Ai tha se shumica e rasteve të mëdha të korrupsionit, ndonëse nisen me bujë nga Prokuroria, po përfundojnë pa epilog ligjor.

”Mbi 90 % e rasteve të mëdha të korrupsionit, të iniciuara nga Prokuroria në Kosovë ndonëse kanë pasur një bujë të madhe, fatkeqësisht të njëjtat kur janë trajtuar në shqyrtim ligjor kanë dështuar”, tha Bugaqku në RTV21.

Tutje ai tha se pavarësisht iniciativës së Prokurorisë Speciale të grumbullojë prova, të marrë në pyetje akterë të lartë, siç është ministri apo deputeti, duhet që këto hetime të jenë të bazuara në prova të sakta.

Ndërsa avokati Ardian Bajraktari ka folur edhe rreth hetimeve që po zhvillohen ndaj ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci.

Ai theksoi se prokuroria dhe policia kanë vepruar në përputhje me ligjin. Sipas tij, veprimet e deritanishme institucionale kanë qenë të duhura dhe të bazuara në ligj.

”Prokuroria dhe Policia kanë kryer detyrën e tyre ligjore dhe aludimet që janë ngritur për këto çështje kanë qenë të duhura. Për mendimin tim ka disa veprime [të Ministrisë] që janë në shpërputhje me ligjin fillimisht për pronën publike. Dhënia në shfrytëzim e pronës publike edhe me qira duhet të bëhet mbi bazën e një procedure transparente, që do të thotë me grande”, tha Bajraktari.

Ai tha se procesi i hetimit në rastin e ministrit Faton Peci është në fazën e hershme hetimore.Për këtë, sipas tij, është e rëndësishme që kryeministri në detyrë dhe zyrtarët e tjerë të mos nxitojnë të shpallin pafajësinë e tij, por të lejojnë që prokuroria të vazhdojë hetimet në mënyrë të pavarur dhe të bazuar në prova.

”Fazë e hershme hetimore, besoj që edhe kryeministri në detyrë edhe të tjerët do të duhej ta bënin të kundërt të besonin në pafajësinë e Pecit dhe ta inkurajonin prokurorinë për hetim të provave”, tha Bajraktari.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe pse shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas paralajmëroi nisjen…