
Humbi jetën pasi ra nga ura e autostradës “Arben Xhaferi”, Shoqata për Kërkim dhe Shpëtim jep detaje
Shoqata për Kërkim dhe Shpëtim e Kosovës ka njoftuar për vdekjen tragjike të të riut Ideal Halabaku, i cili humbi jetën të dielën pas rënies nga ura e autostradës “Arben Xhaferi”.
Anëtari i kësaj shoqate, Florim Neziraj, ka bërë të ditur se ekipet e kërkim-shpëtimit u mobilizuan menjëherë pas marrjes së informacionit për ngjarjen.
“Me të marrë informacionin për aksidentin tragjik, ekipi ynë është mobilizuar menjëherë dhe ka dalë në vendin e ngjarjes, në autostradën Kaçanik–Ferizaj, për të ndihmuar në kërkimin e personit të aksidentuar. Fatkeqësisht, viktima ka rënë nga një lartësi e urës dhe ka humbur jetën në vend. Ky është një moment dhimbjeje e pikëllimi për të gjithë ne”, thuhet në njoftim, ku Neziraj gjithashtu u ka shprehur ngushëllime familjarëve të të ndjerit.
Ngushëllime për këtë humbje ka shprehur edhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili ka theksuar dhimbjen e madhe që kjo tragjedi ka shkaktuar.
“Me dhimbje të thellë pranova lajmin për vdekjen tragjike të të riut Ideal Halabaku, i cili u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme dhe të dhimbshme, duke lënë pas pikëllim të madh tek familja, miqtë dhe te e gjithë shoqëria jonë,” ka thënë Haliti.
Në emër të vet dhe të komunës që drejton, ai ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Halabaku, të afërmit dhe të gjithë ata që e njohën të ndjerin.
“Humbja e një jete të re është gjithmonë e rëndë, por kujtimi për Idealin do të mbetet i gjallë tek të gjithë ata që e njohën si djalë shembullor, i dashur dhe plot jetë”, thuhet ndër të tjera në reagim.